Ke kaluar një ditë të keqe? U zgjove me një peshë mbi supe e nuk e di pse? Mendimet të thonë se gjithçka për të cilën ke punuar nuk ka asnjë vlerë? E pe veten në pasqyrë dhe të dukej sikur shihje një të huaj?
Po të them diçka: të ndihesh kështu është shumë normale. Madje, do të ishte çudi nëse nuk do të kishe ditë të këqija.
Pse?
Sepse jemi njerëz. Trupi dhe mendja janë krijuar për të përjetuar emocione të ndryshme. Nëse nuk do kishim ulje-ngritje, do të ishim si robot me programe të paracaktuara. Do doje të ishe robot? Nuk besoj. Ndaj, që jemi këtu bashkë, duke kaluar një ditë të mërzitshme, le të kujtojmë disa gjëra që mund të na ndihmojnë ta përballojmë më lehtë.
Nuk do të zgjasë përgjithmonë: Edhe pse sot duket sikur ke rënë në një gropë nga e cila nuk do dalësh, mos i beso mendjes kur të thotë se kështu do të jetë gjithmonë. Do të dalësh prej saj. Do vijë një moment kur do ndihesh më i/e lehtë. Dielli do shkëlqejë sërish. E garantoj.
Ke pasur ditë më të mira më parë: Mendo pak: A nuk ke pasur edhe më parë ditë kur je ndjerë mirë? Kur je parë në pasqyrë e ke menduar: “Po më pëlqen si dukem sot!”? Kur një i panjohur të ka buzëqeshur, kur qeni i komshiut ka tundur bishtin kur e ke përkëdhelur, kur një recetë e re të ka dalë perfekt E ke ndjerë kënaqësi të vogël por të rëndësishme? E shikon? Këto ndjesi ekzistojnë dhe do të kthehen.
Emocionet janë si moti: Nuk jetojmë në një flluskë ku gjithçka është e njëjtë çdo ditë. Një ditë bie shi, një ditë del dielli, fryn erë dhe një ditë është vapë përvëluese. Po kështu funksionojnë edhe emocionet. Një ditë je e lumtur, një ditë je e mërzitur, një ditë e lodhur, një ditë e mbushur me energji. Çdo emocion vjen dhe ikën, ashtu si retë në qiell që, edhe pse duken të palëvizshme, janë gjithmonë në lëvizje.
A je në pikën ku mendon: “Unë nuk mundem më”?: Nëse po, po të them me siguri; Mundesh. Ndoshta nuk ndihesh tani, ndoshta të duket sikur e ke shtrydhur çdo pikë energjie, por mos harro: e ke thënë edhe më parë këtë gjë dhe sërish ia ke dalë.
Nuk ke pse e përballon vetëm: Nëse ke një person të besuar, fol me të. Nëse s’ke fuqi, shkruaj. Nëse nuk do të komunikosh me askënd, dëgjo një këngë që të bën të ndihesh mirë. E rëndësishme është të mos i lësh mendimet e errëta të të mbysin.
Edhe kjo do të kalojë: Pa marrë parasysh sa e rëndë të duket dita e sotme, një moment do të vijë kur do ta kujtosh këtë ndjenjë si diçka të largët. Një javë, një muaj apo një vit nga tani, do ta shohësh ndryshe. Mos harro: asnjë stuhi nuk ka zgjatur përgjithmonë. Dhe kur kjo ditë të ketë kaluar, mos harro t’i thuash vetes: Ja dola edhe kësaj here. /UBT News/