Në Komunën e Gjakovës zyrtarisht ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor. Shefi i vaksinimit në këtë komunë, Burim Gojani, ishte i pari që u vaksinua.
Ndonëse kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini nuk e mori vaksinën, ai u shpreh i lumtur që tashmë vaksinimi ka filluar, si dhe i gatshëm për t’u vaksinuar kur t’i vijë radha.
“Do të vaksinohet personeli shëndetësor dhe personat shumë të shtyrë në moshë, kjo është faza e parë. Janë diku 1 mijë e 300 – 1 mijë e 400 persona, sa kam informacion unë, që do të vaksinohen me këtë dozë të vaksinës. Po pres rast që nëse do të ketë vendim që edhe kryetarët e komunave të vaksinohen, do të jem ndër të parët që do e marr. Tani nuk jemi të paraparë për një gjë të tillë, por nëse vaksinimi im do të ndikonte që qytetarët sa më pak të jenë hezitues, menjëherë do e bëjë një gjë të tillë”, tha Gjini.
Ai shpreson se do të ketë program nacional të informimit sa i përket vaksinimit, për shkak që qytetarët të jenë të informuar për vaksinimin, sidomos tash kur sipas tij, ka shumë dezinformata.
“Po shpresoj që do të kemi një program nacional të informimit, sa më të saktë të qytetarëve tanë, sepse është me rëndësi jetike dhe për vetë individin, por edhe për ne që do të marrim vaksinën”, u shpreh Gjini për UBT News.
Vaksinimi po bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Qabrat, që nga mengjesi i së premtes, më 2 prill 2021.
Në spitalin e Gjakovës, janë të shtrirë 30 pacientë me COVID-19
Pashk Nikaj, internist – kardiolog, bën të ditur se tre persona janë me oksigjen të dyfishtë, dhjetë persona me oksigjeno – terapi, kurse 17 të tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka folur edhe për situatën me shtretër spitalorë, të cilët i vlerëson të mjaftueshme për nga numri edhe për pacientë të tjerë që mund të kenë nevojë të hospitalizohen.
“Vende kemi mjaft, kemi 48 kreveta, 30 janë të zënë, kështu që edhe 18 janë të lirë”, ka thënë ai.
Burim Gojani, i cili është personi i parë i vaksinuar në Gjakovë, tha se vaksinën antiCOVID-19 e mori për të përçuar edhe mesazh sensibilizues tek të gjithë, se kjo vaksinë duhet të merret pasi është mbrojtja më e mirë ndaj virusit.
“Me profesion mjek dhe shef i vaksinimit atëherë duhet të shërbejë si shembull, të tregojë që vaksina është e sigurt dhe duhet të gjithë të vaksinohen, pasi që është e vetmja mbrojtje për këtë sëmundje”, u shpreh ai.
Gojani gjithashtu theksoi se duhet t’i besojmë një vaksine e cila është e certifikuar.
Vaksinat antiCOVID-19 arritën në Kosovë në mbrëmjen e 28 marsit. I pari që mori vaksinën ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në bazë të planit të vaksinimit, në fazën e parë do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike.
Numri i përgjithshëm i personave në këtë grup llogaritet të jetë 54 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Faza e dytë përfshinë grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306 mijë persona apo 17 për qind e popullsisë.
Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën antiCOVID-19.
Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 95 mijë e 700 raste me koronavirus. Prej tyre 80 mijë e 490 janë shëruar dhe 1 mijë e 970 kanë përfunduar me fatalitet./UBTNews
(Autore e tekstit është Nesa Kryeziu, studente e vitit të dytë në Media dhe Komunikim në UBT)