Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nis sot vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë.
“Kjo vizitë dyditore për mua personalisht është e mbushur plot emocion dhe ka domethënie të veçantë”.
“Përveç takimeve me drejtuesit më të lartë të Republikës së Shqipërisë, Presidentin Meta, Kryeparlamentaren Nikolla dhe homologen Xhaçka, gjatë kësaj vizite do të kemi edhe një sërë takimesh me opozitën, figura të shquara të letërsisë, të jetës kulturore, artistike, të arsimit, biznesit, etj”.
“Është privilegj i madh që si Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës të jap kontributin tim në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve me Shqipërinë në të gjitha fushat”.
“Marrëdhëniet mes dy shteteve tona shkojnë shumë përtej marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Është detyrim i shenjtë i çdo politikani që këto marrëdhënie t’i kultivojë dhe mbrojë me kujdes të veçantë”, shkruan ajo në Facebook./UBTNEWS