Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Gërvalla ka shkruar se si pasojë e nepotizmit, familjarizmit, mungesës së theksuar të profesionalizmit dhe llogaridhënies, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve, ka qenë një gjendje e mjeruar që ka gjetur në ministrinë që e drejton. Ajo ka shkruar në Facebook se është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri.
“Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, thuhet në reagimin e Gërvallës.