Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla ka reaguar pasi Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, duke thënë se vendi tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se anëtarësimi në këtë organizatë evropiane nuk mund të ndalet.
Në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministrja Gërvalla tha se vendimi për të lënë Kosovën jashtë agjendës së KiE është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.
Ajo tha se letra dërguar nga Qeveria e Kosovës në KiE për draft-statutin e asociacionit është bërë me qëllim të tejkalimit të bllokadës që kishte krijuar vendosja e parakushtit të fundit nga BE-ja për hyrjen e vendit në organizatën e madhe evropiane.
“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja Gërvalla tha se dalja në krah të Serbisë dhe lobimit të saj kundër Kosovës në KiE nga disa vende anëtare të BE-së, ka privuar qytetarët e Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasburg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër”.
Gërvalla tha se anëtarësimi i Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë.
“Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë. Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës”, ka përfunduar Gërvalla.