Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla, ka thënë të enjten se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.
“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook.
Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.
“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka miratuar më 19 maj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve.