Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.
Gërvalla dhe Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Një vlerësim i veçantë u shpreh për angazhimin e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it, duke e cilësuar si një përkrahje të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon.
Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë.
Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aspiratës legjitime të Kosovës për anëtarësim në NATO, Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi.