UBT News

Gërvalla: Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha

Tek pas tri ditësh, një delegacion i lartë shtetëror ka marrë rrugën për Deçan, ku mbi 1000 persona janë helmuar, sipas dyshimeve me ujë të pijshëm.

Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, e cila pas kësaj vizite thotë se  shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.

“Së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia dhe Ministrin e Mbrojtjes, z. Armend Mehaj sot kemi qëndruar në Deçan, ku kemi parë nga afër gjendjen e qytetarëve të helmuar”.

“Në takim me kryetarin e komunës, z. Bashkim Ramosaj si dhe personelin mjekësor të QKMF-së, kemi theksuar përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për t’i dalë në ndihmë komunës së Deçanit në përballimin e kësaj situate emergjente si dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë jo vetëm pajisjen me barnat e nevojshme, por edhe ndihmën konkrete në furnizim të banorëve me ujë të pijshëm, ndihmë me personel mjekësor, ekspertizë laboratorike dhe të tjera”.

“Ministri Mehaj shprehu gjithashtu gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në forma të ndryshme për daljen nga kjo situate”.

“Qytetarët e Deçanit i sigurojmë se të gjitha institucionet përgjegjëse, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, do të jenë në dispozicion që sa më parë ta kthejnë normalitetin në këtë komunë, duke zbardhur këtë çështje dhe duke trajtuar secilin qytetar që ka nevojë për trajtim mjekësor”.

“Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha. Të gjithë pacientëve u dëshiruam shërim të shpejtë me besimin që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt”, shprehet Gërvalla./UBTNEWS

Exit mobile version