UBT News

Gërvalla për zgjedhjet në SHBA: Nuk shoh sinjal për ndryshim të mbështetjes për Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndonjë ndryshim të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën edhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet nesër atje.

Kryediplomatja kosovare tha se Kosova e ka mbështetjen nga të dy kampet.

Këto komente, Gërvalla i bëri në një konferencë për medie pas takimit që zhvilloi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë, Xavier Bettel.

“Si Republikë e Kosovës e cila përbënë popullin më pro amerikan në botë, dhe një vend për të cilin SHBA-të gjithnjë kanë qenë të rëndësishme pa luftës, gjatë luftës dhe sidomos pas luftës në çështjet e zhvillimit, pavarësisë dhe forcimit të rolit të Kosovës në skenën ndërkombëtare jemi me fat që në Shtetet e Bashkuara kemi pas vazhdimisht mbështetjen e të dy kampeve edhe të kampit republikan edhe të kampit demokrat dhe nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Prandaj, duke kryer detyra e shtëpisë në Kosovë, duke i quar përpara reformat, agjendën e reformave duke e vendosur sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar atëherë miqësia dhe partneriteti me Amerikën kështu forcohet, nuk forcohet me fjalë , nuk forcohet me deklarata, por forcohet me punë konkrete”, theksoi Gërvalla.

Sa i takon procesit të dialogut, ministrja Gërvalla beson që me përbërjen e re të Komisionit Evropian do të ketë zhvillime në këtë drejtim.

“Shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjell rezultate e dëshiruara apo të premtuara, dhe prandaj shpresojmë shumë që Komisioni i ardhshëm do të kemi së shpejti intervistimet e tyre nga Parlamenti Evropian dhe shpresojmë shumë të filloj punën sa më shpejtë me qëllim që së bashku me Komisionin e ri të shohim se cilat janë mundësitë që do të ofroj procesi i dialogut”, theksoi ajo.

Sa i takon takimeve të shpeshta që kryeministri, Albin Kurti dhe vetë Donika Gërvalla po i zhvillojnë në diasporë, ajo tha se nuk janë pjesë e fushatës, por formë e bashkëbisedimeve me mërgatës.

“Takimet e formës së bashkëbisedimit mes kryeministrit dhe pjesëtarëve të mërgatës, apo ministres së Jashtme dhe Diasporës dhe pjesëtarëve të mërgatës, apo presidentes dhe mërgatës janë një format i cili ka qenë shumë aktiv edhe në vitet 90’të edhe është në një traditë të mirë të bisedave. Ka raste kur takimet zhvillohet nga shoqatat, ka raste si në rastin e djeshëm, kur organizohet nga misionet tonat diplomatike, prandaj është një përzierje varësisht se nga kush vjen iniciativa si vjen dhe është një lidhje e cila është kaq e fort sa që Kosovën e bënë unike në rajonin tonë…varësisht se kush e organizon ai edhe e e financon. Prandaj, nuk kemi hyrë në fazën e fushatës, kur të hyjmë në fazën e fushatës elektorale do ta shihni se shtohet ritmi do të shtohen takimet dhe do të ndryshoj natyrisht edhe gjuha e takimeve dhe e përmbajtjeve të cilat do t’i shërbejnë më shumë një fushate elektorale sesa një bashkëbisedimi me qytetarët”, theksoi Gërvalla.

Lidhur me mënyrën e votimit për diasporën në zgjedhjet e 9 shkurtit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla tha se do të ofrojnë të gjitha mundësitë me qëllim që asnjë qytetarë i Kosovës të mos i imponohet mënyra e votimit.

Exit mobile version