Në Parlamentin Evropian, Ministrja Gërvalla u prit nga Manfred Weber, President i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Philippe Lamberts, Bashkëpresident i grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët Klemen Grošelj nga grupi i partive liberale “Renew” dhe Thomas Waitz nga grupi i të Gjelbërve.
Në komunikatë thuhet se gjatë këtyre takimeve Ministrja Gërvalla i njoftoi eurodeputetët rreth arritjeve mbresëlënëse të Kosovës në shumë fusha dhe aspiratat euroatlantike të saj. Bisedat u përqendruan edhe rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke përfshirë edhe situatën e sigurisë pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Ministrja Gërvalla falënderoi eurodeputët për rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian, ku me gjuhë të vendosur u dënua agresioni serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ministrja Gërvalla takime zhvilloi edhe në Senatin e Belgjikës, ku u prit nga senatori Fourat Ben Chikha, anëtar i delegacionit të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), të cilin e informoi rreth progresit të Kosovës në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, grupeve të margjinalizuara dhe të drejtave individuale të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë. Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe falënderoi për votën pozitive të Belgjikës në etapën e parë, tashmë të përmbyllur, të anëtarësimit dhe shprehu shpresën e saj për mbështetje të delegacionit belg edhe në PACE.