Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kanë arritur një transformim substancial”.
Sot, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë.
“Gjatë katër vjeçarit që lamë mbrapa, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një transformim substancial, i cili ka çuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha të rëndësishme dhe sidomos në fushën e sigurisë dhe në diplomaci. Prandaj këtë vendim e shohim në vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në forcimin e miqësisë por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë me shtetin i cili ka qenë përkrahës gjithmonë në të gjitha temat që kanë të bëjnë me shtetësinë tonë”, tha ajo.
Kujtojmë se Kosova kishte tarifë doganore ndaj produkteve amerikane prej 10%. Pas tarifave të publikuara nga Donald Trump për rreth 200 vende në mbarë botën, Kosova u prek me 10% për produktet e eksportuara në SHBA.