Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Ministrat e Punëve të Jashtëm të Këshillit të Evropës që të përfshijë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, pas letrës ku qeveria zotohet për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla në konferencë për medie të enjten, tha se ky draft-dokument do të përmbushte obligimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe do të respektonte në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare do të procedohet tutje për hartimin e draftit të Asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese.
“Përmes kësaj letre kemi përsëritur gatishmërinë tonë për të përgatitur një draft-dokument për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim në koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky draft-dokument do të përmbushte detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, do të plotësonte nevojat e komunitetit serb në Kosovë, njëkohësisht do të respektonte në tërësi Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Kosovës…Zotimi ynë është serioz dhe i sinqertë. Është ripërtëritje e ofertës së kryeministrit Kurti më 18 mars 2023 në Ohër, më 2 maj 2023 në Bruksel edhe gjatë javëve të fundit. Një draft-dokument i qeverisë do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, përfshirë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, letrën e Federica Mogherini dhe editorialin e Chollet dhe Escobar. Kjo ofertë është refuzuar dy herë, shpresojmë të pranohet këtë herë, por kjo tani varet nga shtete anëtare të Këshillit të Evropës dhe jo nga ne. Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe prekshëm në përpushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi që jo vetëm i janë vendosur më shumë kushte në këtë organizatë, por që edhe i ka përmbushur këto kushte”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, kjo letër zotimi nuk është e vonuar pasi po të konsideronin si të tillë do të dërgonin më herët.
“Po të konsideronim se është i vonuar do të dërgonim më herët, nuk do të kishim dërguar sot. Sa i përket komentet të opozitës nuk i kam dëgjuar dhe pse jo paraprakisht, dua të ruaj procesin dhe nuk do të bisedojmë sot as rreth partnerëve që na përkrahin në këtë kërkesë dhe as sigurimit të përkrahjes. Ne kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuar në mënyrë konstruktive. Nuk është i lehtë për qeverinë e Kosovës ky hap ne kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim si do të jetë reagimi. Shpresa jonë është e madhe që ky zotim i yni të merret seriozisht dhe ky zotim të qojë në përmbushjen e asaj që të gjithë e dëshirojnë, anëtarësimin në Këshill të Evropës”, theksoi Gërvalla.
Të pyetur se kjo letër zotimi a është bërë në koordinim me vendet e QUNIT-it, zëvendësministri i MPDJ-së, Kreshnik Ahmeti, tha se letra e zotimit është dërguar në kanale zyrtare në Këshill të Evropës, ku janë pjesë të gjitha vendet e QUINT-it. Ai tha se nëse në mbledhjen e nesërme të ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës s’ka gatishmëri për të përfshirë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, i njëjti mund të vendos një datë të radhës se kur mund të bëhet një gjë e tillë.
“Letra nuk është publikuar por është dërguar në kanale zyrtare. Të gjitha vendet e QUINT-it, përfshirë edhe ShBA-të si vend monitorues…Nëse s’ka gatishmëri politike dhe vullnet që të ndryshohet agjenda, sigurisht se ministeriali i nesërm mund të vendos një datë të radhës se kur do të mund të bëhet kjo gjë. Kjo do të ishte një shenjë e qartë e ecjes përpara në mënyrë që të ecim edhe ne me propozimin tonë”, deklaroi ai.
Ndërkaq ministrja Gërvalla nënvizoi se varësisht sesi do të pranohet oferta e Kosovës për Asociacionit, do të vendoset për hapat e mëtejshëm për shtyrjen përpara të kësaj iniciative.
“Varësisht se si do të pranohet kjo ofertë, si do të jenë hapat e mëtejmë, atëherë do të varet nga ne a do të fillojmë me një dokument të tillë apo jo. Do t’iu njoftojmë me kohë sesi do të jenë proceset më tej”, theksoi Gërvalla.