Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz deklaroi se rrëmbimi i policëve në detyrë brenda territorit të Kosovës është akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare. Ajo, siç informoi sot ministria, kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë këtë akt dhe të bëjë presion për lirimin e policëve sa më shpejt dhe pa kushte.
Këto deklarata Gërvalla i bëri gjatë takimit me ambasadorin turk në Kosovë, Tunç Angili, të cilit i uroi mirëseardhje. Ajo falënderoi ambasadorin dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në fushën e trajnimeve ushtarake.
Ministrja Gërvalla gjithashtu falënderoi ambasadorin Angili për mbështetjen e Turqisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, integrimin në strukturat atlantike dhe ndihmën e ofruar në sigurimin e njohjeve të reja.
Gjatë takimit u diskutuan edhe tema të tjera të rëndësishme për Republikën e Kosovës, siç janë proceset aktuale të reformave që vendi po kalon, sfidat e ardhshme në rrugën e integrimeve euro-atlantike, si dhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe ekonomike me Republikën e Turqisë.
Ndryshe, të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.