Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se rasti i vrasjes së Faton Hajrizit është rast i mjegulluar për shkak të pamundësisë së bashkëpunimit me shtetin e Serbisë. Gërvalla ka thënë se janë këmbëngulës që trupi i pajetë i Hajrizit të kthehet në Kosovë.
Ministrja ka thënë se deri më tash kanë pranuar shenjat e gishtërinjve, të cilat pas verifikimit janë përputhur me ato të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës.
“Bashkëpunimi jo vetëm që është i vështirë por është pothuajse edhe inekzistent, kemi qenë shumë këmbëngulës që trupi i personit të vrarë të kthehet në familje për varrim në Kosovë. Kemi pasur një mostër të gishtërinjve kur kemi vërtetuar se janë gjurmët e qytetarit të vrarë Faton Hajrizi. Gjithçka çka ka ndodhur në Serbi është një mjegull, nuk fshehim asgjë asnjë informatë, deri më tani kjo është çështja dhe jam shumë e sigurt që nuk e dimë gjithë të vërtetën. Kemi kërkuar në zbardhjen e së vërtetës nuk mund të jap më shumë informata as garanci”, ka thënë Gërvalla.