Më shumë bashkëpunim dhe koordinim të të gjithë vendeve të rajonit ndaj politikave agresive serbe, këtë ka kërkuar Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla,në takimin me Olta Xhaçkën në Tiranë.
Nga ana tjetër, Xhaçka deklaroi se Kosova do të jetë gjithnjë në prioritetet e Shqipërisë, ndërsa shtoi se përparësi momentale është angazhimi në nismat rajonale.
“U angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy ministrive të Jashtme, mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të aksioneve, diplomacisë mbi arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare. Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës”, tha ministrja Xhaçka.
Ndërsa Donika Gërvalla u shpreh: “Si në çdo familje të madhe, duhet të diskutojmë dhe për temat që janë shqetësuese. Gjatë muajve të fundit, ashtu siç e kanë parë të gjithë, gjuha e fqinjit tonë verior, Serbisë është ashpërsuar së tepërmi. Duhet të jemi të kujdesshëm që paqen ta forcojmë. Duhet një koordinim më i mirë i vendeve të rajonit ndaj Serbisë. Jemi në bisedime për nënshkrimin e marrëveshjeve rajonale dhe besojmë se Shqipëria dhe Kosova me qasjen e hapur për Procesin e Berlinit do të mund të shtyjnë përpara këto marrëveshje”.