UBT News

Gërvalla: Bllokada e Kuvendit e pakuptimtë, opozita të marrë përgjegjësi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si përsëritje të një bllokade të pakuptimtë.

Gjatë deklaratës së saj, Gërvalla u bëri thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga ajo që e quajti “strategji destruktive” dhe të marrin pjesë në procesin e votimit.

“Ishit dëshmitarë të një përsëritjeje të pakuptimtë të një bllokade, e cila tashmë e ka humbur kuptimin e vet. Bllokada do të thotë mosvotim dhe pamundëson konstituimin e Kuvendit”, tha Gërvalla.

Ajo theksoi se Kuvendi duhet të konstituohet për të përmbushur pritjet e qytetarëve dhe për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

“Ne kemi nevojë për unitet për shtet, jo për pushtet. Ky unitet shprehet përmes funksionimit të Kuvendit, jo përmes bllokadës”, përfundoi ajo.

Exit mobile version