UBT News

Gërvalla: Ambasadori Berishaj nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh se deri më tani nuk ka pranuar asnjë informacion për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, se ka kryer shkeljet për të cilat po flitet nëpër medie. Ajo tha se ambasadori Berishaj nuk shkarkohet për spekulime mediatike, por kur ka arsye faktike.

Gërvalla këto komente i bëri në një konferencë për medie me kryediplomaten sllovene, Tanja Fajon.

Ajo theksoi se po vazhdon që në rrugë zyrtare të kërkojë informacione për këtë çështje.

Kryediplomatja kosovare theksoi se sot në mëngjes ka biseduar me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe se ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për një konferencë për medie.

“Unë kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj si edhe herën e parë kur janë ngritur spekulimet e para rreth çështjes së ambasadorit Berishaj nga shtetet të cilat janë përmendur në rrugë zyrtare se a kanë a janë të vërteta apo janë vetëm spekulime të mediave të ndryshme. Duhet të kemi mirëkuptim që ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale, ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike pse ambasadori do të duhet të shkarkohej për shkak se ketë shkelje nga ana e tij. Deri në këtë moment unë nuk kam as edhe një informacion të vetëm dhe me këmbëngulje në rrugë zyrtare do të vazhdojë të kërkoj informacione të kësaj natyre, nuk ka asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur apo që hetimet e këtyre natyrave janë duke ndodhur. Prandaj, kërkoj mirëkuptim nga opinioni që të presin informacionet zyrtare dhe në bazë të tyre të veprojmë“, tha ajo.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka refuzuar ta komentojë rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

“Për të gjitha çështjet që trajtohen nga institucionet përkatëse, siç është sistemi i drejtësisë, nuk do të komentoj. Nuk më takon mua të bëj ndonjë deklaratë”, theksoi ajo.

Exit mobile version