Organizata “Germin” ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kjo e fundit ka hedhur poshtë ankesën lidhur me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
Të premten kjo organizatë ka njoftuar se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike për të kontestuar këtë vendim. Megjithatë, u tha se presin nga Gjykata Speciale që të anulojë të dyja vendimet, atë të PZAP-së, por edhe të KQZ-së.
Drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi tha se ky vendim shkel dhe cenon të drejtat themelore të votuesve jashtë vendit.
“Ne sapo e apeluam vendimin e Panelit zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa këtu pranë Gjykatës Supreme. PZAP e ka hedhur si të palejuar kërkesën tonë ndaj vendimit KQZ-së të datës 11 janar, duke mos e trajtuar fare substancën dhe përmbajtjen e ankesës sonë. Gjë që ne e konsiderojmë të padrejtë për shkak se PZAP e ka trajtuar vendimin e KQZ-së si një vendim teknik, i cili nuk shkel dhe nuk cenon të drejtat themelore dhe të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Gjë që nuk pajtohemi për shkak se konsiderojmë që vendimi i KQZ-së, siç e kemi theksuar përbën cenim të të drejtave themelore dhe të drejtave ligjore sa i përket votimit të qytetarëve tanë jashtë vendit. Dhe për këtë ne e kemi ofruar argumente shtesë në ankesën që e kemi bërë në Gjykatën Supreme, përveç atyre që i kemi paraqitur fillimisht në PZAP”, tha ai.
Krasniqi tha se presin që ky vendim të anulohet nga Gjykata Supreme e Kosovës. Ndër tjera, tha se shpresojnë që do të trajtohet mirë përmbajtja e kësaj ankese.
“Presim që Gjykata Supreme e Kosovës të anulojë të dyja vendimet edhe atë të PZAP-së edhe atë të KQZ-së dhe ta heq këtë verifikimin e aplikuesve për votim jashtë vendit përmes telefonit”, ka shtuar Krasniqi.
Në të kundërtën, ai tha se do të paraqesin ankesë edhe te Avokati i Popullit, dhe se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike për të kontestuar këtë vendim.
“Në rast se nuk ndodhë kjo do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet juridike ne dispozicion. Ne planifikojmë të paraqesim rastin edhe te Avokati i Popullit. Dhe do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet, të gjitha mekanizmat dhe të gjitha mjetet juridike për ta kontestuar atë vendim deri në fund”, ka njoftuar ai.
Vendimi i KQZ-së thotë se pas regjistrimit të votuesve nga diaspora, ata do të thirren në telefon, por në rast se nuk lajmërohen nuk do të lejohen të votojnë.