UBT News

George Clooney reflekton për plakjen, famën dhe lidhjen me fansat në filmin e tij të ri në Netflix

Aktori i njohur hollivudian George Clooney, ka reflektuar mbi raportin mes yjeve të kinemasë e publikut që rritet duke i parë në ekran, teksa promovon filmin e tij më të ri në Netflix, Jay Kelly, ku interpreton një ikonë të imagjinuar të kinemasë me të njëjtin emër.

“Ne jetojmë jetën tonë përmes aktorëve dhe filmave që duam. Por gjëja e çuditshme është se njerëzit presin që të mos plakesh kurrë. Ndonjëherë më ndalon dikush dhe më thotë: ‘Je më i vjetër se mendoja.’ Dhe unë përgjigjem: ‘Po çfarë prisje? Kam 64 vjeç!’”, ka thënë Clooney me humor.

Në film, personazhi i tij përballet me kujtime nga jeta përmes roleve të mëparshme në filma të vërtetë, ide që pasqyron mënyrën si publiku lidh kujtime personale me figurat e famshme.

“Sa më shumë që plakesh, aq më shumë e kupton sa shpejt kalon koha. Për mua duket si dje. Prandaj më pëlqen ajo pjesë e filmit kur një fans i thotë personazhit tim: ‘Kur shoh ty, shoh gjithë jetën time.’ E kuptoj plotësisht. Ashtu ndihesha edhe unë kur u bëra mik me Gregory Peck – e shihja dhe mendoja: ‘Ky është njeriu që luajti në To Kill a Mockingbird!’”

Clooney tregoi gjithashtu se filmi përfshin edhe njerëz realë nga jeta e tij personale.

“Giovanni [Zeqireya], që luan truprojën time në film, është vërtet truprojë im prej 30 vitesh,” zbuloi ai. “Është mik i dashur dhe kujdeset për shtëpinë tonë në Itali. U njohëm për herë të parë në Festivalin e Filmit në Venecia.”

Duke qeshur, aktori rrëfeu edhe një moment nga xhirimet: “Për një skenë ku duhet të vraponim nëpër një fushë, e përsëritëm tri herë. Dhe unë i thashë: ‘Jam 64 vjeç, s’mund të vrapoj më! Dhe ti je 71!’”

Clooney jo vetëm që rikthehet para kamerës, por reflekton me sinqeritet mbi kalimin e kohës, kujtesën e ndikimin që arti ka në jetët tona. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version