Google Maps po përgatitet të sjellë një përvojë më të avancuar navigimi për përdoruesit e Android dhe iPhone, falë integrimit të funksionalitetit të ri të inteligjencës artificiale Gemini.
Ky përditësim synon të ofrojë një navigim më të thjeshtë, më të personalizuar dhe më të përshtatshëm për të gjithë përdoruesit.
Në versionin më të ri, ikona e mikrofonit është zëvendësuar me simbolin e Geminit, duke sinjalizuar prezencën e asistentit të ri AI.
Me aktivizimin e tij, në ekran shfaqet unaza që tregon se Gemini është gati të marrë komanda me zë. Sistemi i ri do të mbështesë të gjitha mënyrat e lëvizjes: me makinë, transport publik, në këmbë dhe me biçikletë.
Përmes komandave zanore, përdoruesit kërkojnë destinacione, rrugë alternative, informacione për trafikun apo vendndodhje të caktuara pa pasur nevojë të prekin ekranin. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë gjatë ngasjes dhe e bën navigimin më praktik.
Google shfrytëzon inteligjencën e Geminit për të ofruar sugjerime të personalizuara e navigim fleksibël, duke e kthyer aplikacionin në një asistent të zgjuar për çdo udhëtim. Funksioni është në fazën testuese dhe pritet të shpërndahet tek përdoruesit gjatë javëve të ardhshme.
Ky integrim ndryshon mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me Google Maps, duke kombinuar navigimin tradicional me AI për një eksperiencë më të qetë, më të thjeshtë dhe më efikase. /A.Z/UBT News/
