UBT News

Gazmend Muhaxheri pret në zyre qytetarët për t’ia uruar fitoren

Sot dhe nesër me të filluar nga ora 09:00 e deri në orën 12:00 dyert e komunës së Pejës do të jenë të hapura për pejanët të cilët duan ta urojnë Gazmend Muhaxherin i cili për të tretën herë është zgjedhur të jetë kryetar i kësaj komune.

Pas ftesës së kryetarit Muhaxheri të shumtë ishin qytetarët që shkuan në zyrë të tij për t’ia uruar postin e të parit të komunës së Pejës.

Një ide të takimeve të këtij lloji, Muhaxheri thotë se e mori meqë është falënderues qytetarëve që ia besuan edhe për një mandat qeverisjen e Pejës. Ai thekson se vota e dhënë nga qytetarët është obligim për të.

“Po vijnë shume njerëz edhe jashtë orarit edhe në zyrat e partisë edhe në rrugë. Mendova me ardh me i kry në dy ditë dhe me pas mundësi me bë urimet, se me të vërtetë na kanë nderuar me votë të konsiderueshme dhe besoj që duhet me i prit. Është vota e tyre një angazhim shtesë për ne dhe një obligim më i madh për mandatin që e kemi marr me kry më shumë punë dhe me qenë në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Gazmen Muhaxheri thotë se në këtë mandatë të tretë do të punojë për t’i përfunduar siç potencon ai, shumë punë të mëdha që ka nisur për këtë komunë.

“Është plani zhvillimor komunal që e kemi aprovuar në asamblenë dhe ai do jetë bazë e punës në katër vjeçarin e ardhshëm[…]besojmë që do të përfundohen do punë të mëdha që janë nisur për këtë qytet ndoshta do arrijmë me i nis do punë të mëdha që mbesin për mandatin tjetër dikujt tjetër me i kry”, theksoi ai.

Adnan Limani është një nga qytetarët që shkoi për ta uruar Muhaxherin për rizgjedhjen e kryetarit të Komunës. Krahas urimeve Limani kërkon nga Muhaxheri që këtë mandat ta kthej vëmendjen më shume kah zhvillimi i qytetit.

“Ne erdhëm që ta urojmë kryetarin Gazmendin për sukseset e deritanishme shpresojmë që në këtë mandat edhe më shumë të bëjë për qytetin sesa për fshatrat. Besoj që fshatrat kanë mjaftueshëm infrastrukturë momentalisht ka bërë shumë për fshatra. Shpresojmë që tani me shumë ta kthej vëmendje kah qyteti”, tha ai.

Fitorja e Muhaxherit e gëzoi edhe Nekibe Shalën, e cila tha se Peja ka kryetarin më të mirë të të gjitha kohërave.

“Kryetari është më i miri i të gjitha kohërave moralisht e si punëtor dhe të gjitha[…] Tepër (u gëzuam) nuk di ta përshkruaj tha ajo.

Hysen Lajçi nga fshati Malaj i Pejës thotë se shkoi ta uroj Muhaxherin për rezultatin e zgjedhjeve meqë ai ka bërë punë të mira në Pejë.

“Se kemi qef edhe e kemi kryetar, kam ardh me e pa e ma ia bë përhajër[…]po valla është i mirë, ka punuar shumë”, tha ai.

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri mandatin e tretë në krye të kësaj komune e fitoi me një përqindje prej mbi 60%.

Exit mobile version