Një gazetare shtatzënë nga Zelanda e Re që ka ngecur në Afganistan thotë se po kërkon ndihmën e talibanëve pasi vendi i saj nuk e lejon të kthehet për shkak të disa pengesave në sistemin e karantinimit.
“Kur talibanët i ofrojnë – një gruaje shtatzënë dhe të pamartuar – një vend të sigurt, atëherë dije që situata jote është e komplikuar”, shkroi Charlotte Bellis në një artikull të botuar në New Zealand Herald të shtunën.
Bellis e sheh si ironike faktin që para pak kohësh kishte vënë në pikëpyetje mënyrën sesi talibanët trajtojnë gratë, ndërkohë që të njëjtën pyetje tani po ia adreson qeverisë së saj.
Ministri i menaxhimit të COVID-19 në Zelandën e Re, Chris Hipkins, tha për The Herald se ka diskutuar më zyrtarët përkatës nëse janë ndjekur procedurat e duhura në rastin e Bellis, ‘e cila në pamje të parë duket se duhet të japë më shumë shpjegime, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Zelanda e Re ka arritur të frenojë përhapjen e virusit gjatë pandemisë dhe ka raportuar vetëm 52 viktima në popullsinë e saj prej 5 milionë banorësh.
Por rregulli për karantimin 10-ditor të qytetarëve në hotelet e përcaktuara dhe të mbikëqyrura nga ushtria ka sjellë një listë pritjeje prej mijëra qytetarësh.
Historitë e zelandezëve të bllokuar në kushte të vështira ka krijuar një situatë jo të këndshme për kryeministren Jacinda Ardern dhe qeverinë e saj, veçanërisht në rastin e Bellis.
Vitin e shkuar, gazetarja mbulonte tërheqjen e trupave amerikanë nga Afganistani për Al Jazeera, nga ku mori dhe famë ndërkombëtare për shkak të kritikave ndaj talebanëve për mënyrën sesi trajtonin gratë dhe vajzat.
Bellis shprehet se shtatzënia e saj mund të kthehet në një situatë ku i rrezikohet jeta për shkak të gjendjes së mjerueshme të spitaleve në Afganistan.