Gazetari i BBC-së, i cili zhvilloi një intervistë “bombë” në 1995 me Princeshën Diana, ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore, pak para se të botohet një raport që heton nëse ai veproi në mënyrë jo të duhur për të siguruar lejen e Dianës për ta intervistuar.
Martin Bashir është akuzuar për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për të bindur Princeshën që ta realizonte intervistën me të, intervistë me të cilën ajo shkaktoi krizë brenda familjes mbretërore duke treguar detajet rreth prishjes së martesës së saj me Princin Charles.
Një zëdhënës i BBC-së tha se raporti i kryer nga ish-gjykatësi Lord Dyson, pritet të dalë “shumë shpejt”. Korporata njoftoi se Bashir, i cili po lufton me çështje të shumta shëndetësore për disa muaj, do të tërhiqet nga roli i tij aktual si redaktor i religjionit.
Prej kohësh u pretendua që Bashir ka përdorur dokumente të falsifikuara që sugjeronin që stafi i pallatit po punonte kundër Princeshës Diana dhe po paguhej për ta spiunuar atë, ka raportuar spikeri i CNN dhe korrespondenti i Max Foster.
Vëllai i Princeshës Diana, Charles Spencer ka pohuar se Bashir e mashtroi atë duke i treguar deklaratat e rreme të bankës, duke e shtyrë atë të prezantonte gazetarin me motrën e tij.
Gjatë intervistës, Diana i tha Bashirit se ishin “tre persona” në martesën e saj me Charles, duke iu referuar Camilla Parker Bowles, me të cilën Charles do të martohej më vonë.
Pallati Buckingham u shokua nga intervista e vitit 1995, sipas Charles Anson, sekretari i shtypit i mbretëreshës në atë kohë. “Nuk kishim asgjë të thoshim”, i tha Anson më parë CNN.
Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie tha në një deklaratë vitin e kaluar se ai “do të bëjë gjithçka që është e mundur për të arritur në fund të kësaj”, pasi ai njoftoi hetimin e pavarur.
Bashir nuk ka komentuar publikisht në lidhje me akuzat, dhe zyra e shtypit të BBC tha: “Martin Bashir nuk dëshiron të kontaktohet nga media dhe nuk do të bëjë komente publike në këtë kohë. Ai na bëri me dije për vendimin e tij muajin e kaluar, pak para se të ripranohej në spital për një tjetër procedurë kirurgjikale në zemrën e tij”, thuhej në email.
“Megjithëse ai iu nënshtrua një operacioni të madh në fund të vitit të kaluar, ai po përballet me disa çështje të vazhdueshme dhe ka vendosur të përqendrohet në shëndetin e tij. Ne i urojmë shërim të plotë dhe të shpejtë”, u tha nga Zyra e BBC./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)