Blogeri kritik, Roman Protasevitsh, viktimë e uljes së detyruar të avionit në Minsk, që çoi në reagime të forta të BE, ka folur në një video. Por kjo shfaqje në video nuk i ka ulur shqetësimet për blogerin.
Roman Protasevitsh i arrestuar në aeroportin e kryeqytetit bjellorus, Minsk ka folur në një video të publikuar në një kanal të afërt me qeverinë, në Telegram. Aty ai pranon se ndodhet në “burgun hetimor” Nr. 1 në Minsk.
“Do të vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe pranoj, se kam organizuar protestat masive në qytetin Minsk”, thotë në video Protasevitsh duke shtuar se ai është trajtuar sipas ligjit dhe se do të bëj dëshmi të tjera. “Personeli sillet ashtu si duhet me mua dhe respekton ligjin”, shprehet Protasevitsh i ulur në një tavolinë.
Sipas opozitës bjelloruse, videoja është regjistruar nën presion.
“Roman nuk ka thënë asnjëherë vullnetarisht atë që thotë tani në kamera”, thuhet në Telegram. “Fytyra e tij ka makijazh, gjurmët e goditjeve janë të dukshme, hunda është e thyer.” Drejtuesja e opozitës bjelloruse, që jeton në ekzil, Svetlana Tihanovskaja tha në Sky News, se ajo ka shumë frikë “jo vetëm për lirinë, por edhe për jetën e tij.”