Rreth 70 persona u arrestuan dhe dy reporterë u rrahën nga policia të dielën në një festë kurde në Stamboll. Guvernatori i Stambollit njoftoi se 70 persona u arrestuan nga policia të dielën në festimet “Nevruz” ose “Dita e Re” në qytetin më të madh të Turqisë.
“U arrestuan gjithsej 70 persona (15 gra, 55 burra) të cilët u zbulua se i kanë rezistuar policisë, kanë shkaktuar kaos dhe kanë bërë propagandë për një organizatë terroriste duke bërtitur parulla të paligjshme”, tha guvernatori i Stambollit shkruan Ballkan Insight.
Tre nga të arrestuarit kishin postera të Abdullah Ocaalan, themeluesit të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, shtohet në deklaratë. Gazetarët e Bia.net Tugce Yılmaz dhe Ali Dinc gjithashtu përjetuan dhunë policore teksa Yılmaz po filmonte trajtimin e dhunshëm të një personi tjetër. Policia më vonë i liroi pa i arrestuar zyrtarisht.
Një tjetër gazetare e AFP-së, Eylul Deniz Yasar, u arrestua nga policia pasi ajo iu nënshtrua një sulmi verbal dhe psikik nga policia. Policia i tha: “Lutu që të mos të bëjmë sapun si hebrenjtë”.
“Ne protestojmë kundër kësaj dhune ndaj miqve tanë gazetarë që punojnë në Nevruz në Stamboll dhe ndalimit të Eylul Deniz Yasar nga AFP. Ministri i Brendshëm duhet të ndërhyjë për t’i dhënë fund ndërhyrjeve të papranueshme. Nuk mund ta trajtosh gazetarin si kriminel”, tha Erol Onderoglu, përfaqësuesi turk i organizatës vëzhguese Reporterët pa Kufij, RSF.
Festimet e Nevruzit në Stamboll kanë mbledhur qindra mijëra njerëz në një ngjarje të madhe, ku janë përfshirë edhe aktivistë dhe mbështetës të Partisë pro-kurde për Barazi dhe Demokraci Popullore. Nevruzi shënon fillimin e pranverës dhe është një ngjarje tradicionale e kulturës kurde, e njohur edhe nga UNESCO./UBTNews