Një grup gazetarësh, kolumnistësh dhe komentatorësh meksikanë përmes një letre të hapur i kërkuan presidentit Andres Manuel Lopez Obrador t’i japë fund provokimeve ndaj mediave. Ata thonë se ai po nxit dhunë me retorikën e tij.
Letra që u nënshkrua nga gati 200 emra të njohur të gazetarisë, u botua në gazeta dhe u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale, mbi një javë pasi një gazetar i njohur u zu në pritë nga persona të armatosur, të cilët e qëlluan automjetin e tij të blinduar.
Moderatori Ciro Gomez Leyva i mbijetoi tentativës së 15 dhjetorit dhe që atëherë polemikat mbi sulmet e Qeverisë ndaj mediave janë rritur.
Në letrën e hapur, Lopez Obradori akuzohet për sulmin ndaj Gomezit. Në letër u tha se “praktikisht të gjitha shprehjet e urrejtjes kundër gazetarëve lindin, inkubohen dhe përhapen” nga zyra e presidentit.
Sipas Reporterëve pa Kufij (RSF), Meksika është vendi më vdekjeprurës në botë për gazetarët. 11 gazetarë u vranë vetëm gjatë këtij viti./UBTNews/