Dy gazetare që u burgosën në Iran pas raportimit mbi vdekjen e Mahsa Aminit, që ngjalli protesta mbarëkombëtare në vitin 2022, u liruan me kusht.
Gazetaret që u dënuan në muajin tetor, Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi janë aktualisht në pritje të një vendimi pas apelimit nga ana e tyre, raporton agjencia shtetërore e lajmeve të Iranit, IRNA. Atyre iu lejua të largohen nga burgu i Teheranit të dielën me kusht prej 10 miliardë tomanësh secila (gati 200,000 dollarë secila), raportoi IRNA. Gjithashtu atyre u ndalohet të largohen nga vendi.
Hamedi dhe Mohammadi u arrestuan në fund të shtatorit të vitit 2022, pas protestave të përhapura në të gjithë Iranin, që u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares Amini, e cila vdiq ndërsa po mbahej në paraburgim nga policia morale e Iranit pasi u arrestua nën dyshimet se mbante shami në mënyrë të papërshtatshme./UBTNews/