UBT News

​Gazetarët e RTK-së protestojnë për mungesën e pagave, nuk përjashtojnë grevën në të ardhmen

Për shkak të mos ekzekutimit të pagave për muajin korrik, disa punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) protestuan sot para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar të drejtat e tyre ligjore për alokim të mjeteve.

Ndonëse 5 gushti ishte dita e fundit kur atyre do të duhej t’iu alokoheshin mjetet për muajin korrik, rreth 700 punonjës të RTK-së kanë mbetur pa paga.

RTK nuk hesht”, “Gazetar pa pagë=Demokraci pa zë”, “Mos na e fikni zërin publik”, “Buxheti nuk është privilegj, është e drejtë ligjore”, “Mos e shkatërroni mediumin publik”, “RTK është e popullit, jo e politikës”, “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, janë disa nga mbishkrimet në pankartat që punëtorët e mediumit publik mbanin në duar gjatë protestës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi tha se kjo krizë është rezultat i mosmiratimit të Ligjit të ri për RTK-në dhe mungesës së një financimi të pavarur dhe të qëndrueshëm.

Ai tha se kërkesat e punëtorëve të RTK-së janë alokimi i menjëhershëm i buxhetit, kompletimi i bordit të RTK-së nga Kuvendi i ri, shpallja e konkursit për drejtor të përgjithshëm, me respektim të plotë të procedurave ligjore, si dhe rritja e buxhetit për vitin 2026, përfshirë rritjen e pagave.

Bimbashi potencoi se mbi 700 familje janë pa paga, në kushte të rënda ekonomike, nën barrën e kredive dhe me kosto të jetesës në rritje.

Po ashtu, Bimbashi tha se nuk përjashtohen greva, protesta para objektit të RTK-së dhe bojkoti i ngjarjeve politike.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se ofrojnë mbështetje të plotë dhe të fuqishme për punëtorët e RTK-së.

Ai potencoi se thirrja e AGK-së është që punonjësit e RTK-së të vazhdojnë punën e tyre pa presion financiar e politik.

Sipas tij, situata aktuale ka qenë e shmangshme për cka ftoi institucionet që të ndërmarrin hapat e nevojshëm.

Exit mobile version