Detajet teknike janë zbardhur nga gazeta italiane “L’esspreso” për funksionimin e kampit dhe kostot për të mbuluar çdo shërbim të mundshëm, nga uji i pijshëm, energjia elektrike, kanalizimet e deri tek infrastruktura e në perimetrin e kampit.
Sipas dokumentit, e tërë zona ku do të ngrihet kampi i refugjatëve nuk është e pajisur me kanalizim publik dhe është e nevojshme të ndërtohet një rezervuar me kapacitet të përshtatshëm ose të ndërtohet një impiant për pastrimin e tyre.
Uji i pijshëm është parashikuar të merret nga një depo me pompo, por nëse nuk është mjaftueshëm për të mbuluar të gjithë qendrën mendohet edhe ndërtimi i rezervuarëve për të siguruar sasinë e nevojshme të ujit në kamp.
Protokolli nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria ka një vlerë prej 230 milionë eurosh, ndërsa 75 milionë të tjera parashikohet të paguhen për eksportin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor italian me Shqipërinë, duke e kaluar vlerën 300 milionë euro.
Shifër kjo, që sipas gazetës “L’esspreso” është të paktën pesë herë më e lartë se kostot që Italia ka paguar për administrimin e fluksit të migrantëve në territorin e saj.
Për trajtimin e emigrantëve në qendrat e përhershme në Itali janë paguar 52 milionë euro për katër vjet, ndërsa transformimi i Shëngjinit dhe veçanërisht Gjadrit do t’i kushtojë shtetit fqinj disa fish më shumë./TCH/