UBT News

Gaza: Të paktën 60 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite

Të paktën 60 persona janë vrarë në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli ka nisur një tjetër ofensivë të gjerë në territorin palestinez, me synim – sipas zyrtarëve izraelitë – kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe eliminimin e këtij grupi militant, raporton agjencia Associated Press.

Të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se do të lejohet hyrja e një numri të kufizuar kamionësh me ndihma humanitare në Gazë, për herë të parë pas mbi dy muajsh. Vendimi u mor pas presionit ndërkombëtar për lehtësimin e bllokadës ndaj popullsisë palestineze, e cila përbëhet nga rreth 2 milionë banorë.

Pavarësisht kësaj, agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë theksuar se ndihma e lejuar nuk mjafton për të përmbushur nevojat urgjente për ushqim, ilaçe dhe furnizime. Gjatë një armëpushimi të mëparshëm, në Gazë hynin rreth 600 kamionë në ditë.

Ushtria izraelite ende nuk ka dhënë ndonjë koment për sulmet e fundit.

Lufta në Gaza nisi në vitin 2023, pas një sulmi të militantëve të Hamasit që la 1.200 të vdekur në Izraelin jugor. Si pasojë e ofensivës izraelite që pasoi, më shumë se 50,000 palestinezë janë vrarë deri më tani, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ofensiva ka shkatërruar pjesë të mëdha të infrastrukturës dhe ka detyruar rreth 90% të popullsisë të zhvendoset.

Exit mobile version