UBT News

Gaz Ejupi: “Reporting House, një pikë reference për historinë e Kosovës

Profesori Gaz Ejupi është kurator në “Reporting House”. E hapur më 2024, kjo shtëpi shpërfaq historinë e një prej kohëve më të rënda dhe më të ndritshme të Kosovës. Ejupi, që është profesor në UBT, në Podcastin e Mediave të UBT-së, flet për themelimin e “Reporting House”, një ndërmarrje shumë e rëndësishme e dokumentimit të historisë më të re të Kosovës, me theks të veçantë historinë e medias në Kosovë.

Ejupi, teksa flet për idenë fillestare, thekson se ka qenë një ide që kjo të realizohet në Bosnje, por që nuk është bërë kurrë. Ndaj, realizimit të saj në Kosovë i është kushtuar shumë rëndësi që nga fillimi.

Sipas Profesor Ejupit, që në fillim është menduar të shihet cila duhet të jetë përmbajtja e ekspozitës, në mënyrë që të rinjtë ta kuptojnë historinë.

U deshën pothuaj dy vjet që të shikohen të gjitha materialet, dhe që ato të përzgjidhen me kujdes, për të qenë pjesë e ekspozitës.

Dhe del se përzgjedhja ka qenë e duhura, sepse suksesi i ekspozitës është i madh. Vetëm për pak më shumë se një vit, mbi 16 mijë vizitorë.

Ekspozita përmban mbi 30 orë material në video. Ka qenë një debat shumë serioz derisa kemi huazuar materialet nga BBC. Kemi pesë ekrane. Kemi materiale që nuk janë shfaqur asnjëherë nëpër televizione. Janë të paedituara. Ka materiale që i kanë dhënë shikuesit”, thotë Ejupi, për të shtuar se “prej tre mijë fotografive i kam përzgjedhë pesë dhe kemi krijuar një katror në mes të hapësirës së rezistencës, ku janë edhe protestat e grave, mbajtur asokohe”.

Ejupi çmon lart një artefakt – fletoren e familjes Jashari, fletore në të cilën është e vizatuar e gjithë storja e familjes së komandantit Adem Jashari. Fletoren e ka sjellë Donika Shahini, që ka qenë përkthyese në atë kohë në një televizion japonez. Ata kanë qenë ndër të parat ekipe që kanë hyrë në Prekaz pas luftës treditore dhe dikush nga ekipi japonez i ka sugjeruar të mbajë diçka si shenjë të asaj kohe.

Pas 25 vitesh, Donika na dhuron fletoren, që është një nga pikat kryesore të ekspozitës”, thotë Ejupi dhe tregon se fletorja përmban vizatime të fëmijëve, që e kanë përshkruar komplet ngjarjen.

Ejupi flet për rëndësinë e “Reporting House”, që është bërë një pikë reference takimi në qytet. Thekson se ka njerëz që e vizitojnë nga disa herë. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja – mbi 70 për qind e vizitorëve janë të huaj.

Në Kosovë, problemi më i madh është dokumentimi i historisë. Profesor Ejupi thotë se “Reporting House”, i shërben kujtimit të një gjenerate që po shkon, për t’ua kthyer në kujtesë atë që ka ndodhur.

Edhe gazetarët e asaj kohe, që kanë dhënë materiale, kanë kthyer kujtesën në atë kohë, në ato zhvillime që i kanë përjetuar.

Por, efektin më të madh ekspozita e ka te gjeneratat e reja. Shumë të rinj vazhdojnë ta vizitojnë atë. Shumë nxënës shkollash e vizitojnë atë në formë të organizuar. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Në bisedën për mediat e UBT-së, profesori dhe kuratori Gaz Ejupi paralajmëron projektin e ri të “Reporting House”, që ka të bëjë me ekspozitën e Bllacës. Ideja është që vagonët që kanë bartur mbi 400 mijë njerëz nga Prishtina dhe qytetet e tjera për në Bllacë të shndërrohen në galeri kujtimesh për atë kohë./E.S/UBTNews

Exit mobile version