UBT News

“Gati 1.4 milion njerëz janë zhvendosur në Sudan që nga shpërthimi i luftës civile”

Gati 1.4 milion njerëz janë zhvendosur në Sudan që nga shpërthimi i konfliktit midis dy gjeneralëve rivalë gjatë muajit prill, njoftoi të dielën Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një raport të ri që ekspozon shkallën e katastrofës që ka përfshirë kombin afrikan.

Edhe para intensifikimit të luftimeve, paqëndrueshmëria politike për disa vite solli zhvendosjen e miliona njerëzve në Sudan. Sudani priti edhe 1.13 milion refugjatë nga vende të tjera të përfshira nga konflikti, sikurse Sudani i Jugut, Eritrea dhe Siria, sipas të dhënave të UNHCR-së.

Shpërthimi i dhunës i ka detyruar njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur brenda Sudanit apo edhe në vendet tjera fqinje.

Që nga shpërthimi i luftimeve më 15 prill, më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit deri më 23 maj, njofton OKB-ja.

Gjatë kësaj periudhe u raportua për rritje të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, veçanërisht në mesin e popullatës sudaneze të zhvendosur brenda vendit, tha Fondi i Popullsisë i OKB-së.

Në mënyrë alarmante, janë regjistruar edhe raste të “dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, përfshirë akuza për përdhunim, të kryera nga palët në konflikt”, tha Pramila Patten, përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Dhunën Seksuale në Konflikt./UBTNews/


Exit mobile version