UBT News

Gashiq e padëshiruar në Gjakovë, qeveria hesht

Kthimi i Dragica Gashiqit, me përkatësi serbe, për të jetuar në Gjakovë ka nxitur reagime brenda kësaj komune, por një protestë para banesës së saj nga ana e familjarëve të personave të pagjetur, e paralajmëruar për të hënën, është anuluar.

Dragica Gashiq thotë se po përballet me sulmet nga ana e bashkëqytetarëve, por ajo ka vendosur të jetojë në Gjakovë.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, thekson se nuk do të lejojnë serbët të kthehen në Gjakovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, shpreh mendimin që kthimi i cilitdo të zhvendosur, nuk duhet të kushtëzohet. Organizatat joqeveritare, në nivelin qendror të vendit dhe as Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast.

Gashiq: Po më sulmojnë

Dragica Gashiq, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999, kur ajo ishte zhvendosur nga aty. Ajo nuk planifikon që të largohet më sepse “është plotësuar dëshira e saj që të kthehet në Kosovë”. Ajo deri më tani ka jetuar në Serbi.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Gashiq shprehet se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.

Por, ajo thotë se për të është i rëndë fakti që është e padëshirueshme në Gjakovë dhe që, siç thotë ajo, bashkëqytetarët e saj “e sulmojnë” gati se çdo ditë.

“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, tha Gashiq.

Ajo shtoi se pa përcjellje të Policisë së Kosovës nuk shkon as në shitore, ndërkohë që shpreson që kjo situatë të ndryshojë, sepse, siç thotë ajo, vitet më të mira i kishte kaluar pikërisht në Gjakovë, në të cilin qytet kishte ardhur nga Klina fqinje, kur ishte vetëm 18 vjeçe.

Dragica Gashiq sqaron se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.

Ajo shton që nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.

“Unë e di që askujt nuk i kam bërë asgjë të shëmtuar. I kam lindur dy fëmijë këtu”, tha ajo.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më 28 qershor është takuar me Dragica Gashiqin në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës. Pas këtij takimi, ai ka thënë që “shteti i Serbisë, Zyra për Kosovën dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bëjnë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që Dragica Gashiqit t’i mundësohet jeta e dinjitetshme e njeriut”.

Megjithatë, Dragica Gashiq, tashmë nuk është e sigurt për asgjë, e as për premtimet që ditëve të fundit i japin shumë njerëz.

“Më kanë premtuar gjithçka, që nga kamerat në hyrje të banesës. Më kanë premtuar gjithçka, por se a do të përmbushen ato ose jo, nuk e di, vetëm t’ju gënjej”, u shpreh ajo.

Gashiq, tash e disa vite më parë, ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Pronave (Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës) që të lirohet banesa e saj në Gjakovë. Tashmë kjo i është mundësuar. Siç tha ajo, banesa e saj është uzurpuar për disa vite.

Kumnova: Nuk i duam serbët në Gjakovë

Në anën tjetër, kthimi në Gjakovë i Dragica Gashiqit ka shkaktuar reagime të ndryshme që kanë kundërshtuar këtë kthim.

Një protestë para ndërtesës ku banon Gashiq ishte paralajmëruar fillimisht edhe nga përfaqësues të familjarëve të personave të pagjetur, por megjithatë, ajo nuk është mbajtur. Kështu kishin vendosur vetë përfaqësuesit e këtyre familjarëve, pas bisedimeve që kishin zhvilluar ditën e hënë, më 28 qershor, me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova. Kjo shoqatë ka mbledhur gratë që kanë humbur fëmijët ose burrat gjatë luftës, që janë marrë dhunshëm nga forcat serbe në vitin 1999 dhe më pas janë vrarë ose zhdukur.

Kumnova ende është në kërkim të birit të saj, të cilin forcat serbe ia kishin rrëmbyer nga shtëpia, bashkë me pesë burra të tjerë, po ashtu civilë shqiptarë. Mbetjet mortore të pesë prej tyre tashmë janë gjetur në varrezat masive në Serbi dhe u janë kthyer familjarëve.

Kumnova thotë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur kanë vendosur që të mos protestojnë “pa u vërtetuar arsyeja e kthimit” të Gashiqit, për të cilën, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u kishte thënë se gjatë së hënës nuk ishte në banesën e saj.

Por, siç thotë Kumnova, anulimi i protestës nuk nënkupton që familjarët e personave të pagjetur miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

“Ajo nuk ka për të jetuar këtu. Të gjithë (serbët) kanë bërë krime dhe plagët janë të hapura. Në mesin e grupit që është marrë është djali im, vet i gjashti, këtu në shtëpi. Pesë prej tyre janë kthyer e unë hala djalin nuk e kam gjetur. Dhe të vij (Gashiq) këtu të jetojë? Jo. Dhe jo vetëm ajo, por asnjë serb nuk e lejojmë”, theksoi Kumnova.

Përplasjet brenda komunës së goditur nga lufta

Në Komunën e Gjakovës, 11 organizata joqeveritare, kanë thënë se do t’i dorëzojnë Qeverisë së Kosovës një peticion për largimin e shtetases serbe Dragica Gashiq.

Ajo shihet si person i padëshiruar në këtë komunë për faktin se ka punuar në Policinë e Serbisë, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Gjakova është një nga komunat më të goditura të Kosovës nga lufta e vitit 1998 dhe 1999, ku ishin vrarë mbi 1.000 civilë shqiptarë, shumica e të cilëve meshkuj. Fati i një numri të tyre ende nuk është zbardhur dhe ata figurojnë si persona të pagjetur.

Ndaj kthimit në Gjakovë të Dragica Gashiqit ka reaguar subjekti politik Alternativa, kryetare e së cilës është deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila.

Ky subjekt politik është pjesë e qeverisjes në Kosovë, të cilën e drejton kryeministri Albin Kurti.

Alternativa ka akuzuar Komunën e Gjakovës, siç është thënë, “për kthimin e shtetases serbe në Gjakovë dhe mungesën e transparencës”.

Dega e këtij subjekti politik në Gjakovë ka kërkuar nga kryetari i komunës, Ardian Gjini, që të tregojë se “kur ka filluar komunikimi me shtetasen serbe Dragica Gashiq për interesimin e saj për t’u kthyer në Gjakovë”.

Alternativa më tej ka theksuar se prej banesës ku tashmë është vendosur Dragica Gashiq, e që sipas këtij subjekti politik, është pronë komunale, është dëbuar një familje me mbiemrin Emra. Ky subjekt politik ka publikuar edhe dokumente në të cilat figuron adresa e banimit të Dragica Gashiq.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga Alternativa, “Dragica Gashiq ka parashtruar kërkesën në Agjencionin Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës” për t’u kthyer në banesën në të cilën tashmë është vendosur.

Gjini: AKP-ja ka vendosur në favor të Gashiqit

Edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u ka thënë mediave që lidhur me rastin Gashiq dhe në favor të saj, si pronare e banesës, ka vendosur Agjencia Kosovare e Pronës dhe jo Komuna e Gjakovës.

Ai tha se Gashiq e kishte regjistruar banesën, si pronë të saj, në vitin 1997, duke e cilësuar këtë si kohë kontestuese.

Megjithatë, ai ka theksuar se është biseduar me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë incident. Ai ka theksuar se e kupton dhembjen e familjarëve të personave të pagjetur, por sipas tij, të gjitha rrethanat e caktuara kontestuese, duhet të sqarohen në rrugë ligjore.

“Sot, Kosova ka institucione, ka qeverinë e vet, ka policinë e vet, ka gjyqet, ka komunat e veta. Do të thotë, jemi duke jetuar në një demokraci dhe gjithçka ka zgjidhje në mënyrë ligjore”, ka theksuar Gjini.

Blakaj: Kthimi i personave të zhvendosur nuk duhet të kushtëzohet

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka shprehur mendimin se secili i zhvendosur e gëzon të drejtën për t’u kthyer në pronën e vet dhe në vendin ku ka jetuar më parë, në rast se për këtë shpreh dëshirën.

“Kjo nuk mund të kushtëzohet me asgjë tjetër. Unë plotësisht i kuptoj familjarët e viktimave në Gjakovë dhe e kuptoj që në Gjakovë ka një numër jashtëzakonisht të madh të vrarësh dhe të zhdukurish dhe që familjet e tyre deri më tash nuk kanë parë drejtësi. Por, megjithatë, nuk duhet të kushtëzohet kthimi i personave në pronat e veta, në banesat e veta. Në këtë kontekst edhe zonja Gashiq është kthyer në banesën e vet dhe mendoj që institucionet e sigurisë, në rend të parë, asaj duhet t’i ofrojnë siguri dhe të sigurohen që askush nuk do ta bezdisë”, theksoi Blakaj.

Ai shtoi se Fondi për të Drejtën Humanitare është duke pritur që të koordinohet me organizatat tjera joqeveritare, për një reagim për rastin Gashiq dhe lidhur me të drejtën për kthim në pronën e vet, të cilido qytetar që është zhvendosur nga Kosova.

Qeveria dhe OJQ-të heshtin

Lidhur me të drejtën e Dragica Gashiqit që të kthehet në pronën e saj për të jetuar, deri më tash, nuk ka reaguar asnjë nga organizatat joqeveritare në Kosovë.

Lidhur me rastin Gashiq, deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim as nga Qeveria e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekzekutivit me pyetjet se cili është qëndrimi i tyre lidhur me rastin Gashiq, si dhe a ka ndonjë plan Qeveria e Kosovës për çështjen e kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Procesi i kthimit të të zhvendosurve

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë filloi pas përfundimit të luftës në 1999, kur u kthyen mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës që ishin dëbuar gjatë luftës, dhe më pas, në të njëjtën kohë, serbët u larguan.

Sipas të dhënave nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 226.400 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, romë dhe komunitete të tjera, u larguan nga shtëpitë e tyre. Deri në vitin 2020, rreth 28.500 qytetarë janë kthyer në Kosovë.

Ndërkaq, në Zveçan, komunë kjo me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe, në shtator të vitit të kaluar, ishin duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”. Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.

Prishtina zyrtare kishte thënë që nuk ka prova që ky vendbanim ka marrë lejet e nevojshme nga qeveria lokale.

Në bazë të të dhënave të UNHCR-së, të vitit 2016, besohet që të zhvendosur jashtë Kosovës janë rreth 107.000 njerëz, prej të cilëve 88.000 në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe mbi 600 persona në Maqedoninë e Veriut./REL

Exit mobile version