Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po i bënë dëme të mëdha Kosovës. Sipas tij, veprimet e kreut qeveritar në raport me dialogun me Serbinë janë më të këqijat të mundshme, ndërkaq Kosova sipas tij s’po merr asnjë përfitim.
Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit, ku kërkoi që draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian të dërgohet Komisionin e Venecias, Gashi tha se partnerët ndërkombëtar nuk i besojnë më kryeministrit Kurti.
“Pse duhet me shku në Venecia kur kryeministri tashmë e ka bërë dëmin. Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe po ashtu Kosova është më shumë se 360 ditë nën sanksione ndërkombëtare. Pse nuk e ka bërë më herët këtë kompromis. Para dy vitesh bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës shkruaje vet statutin e Asociacionit dhe dërgoje në Gjykatën Kushtetuese, por ka refuzu. Tash masi ka bërë dëmin ofron një opsion apo disa opsione. Qeveria i ka tri qëndrime në këto javët e fundit. Është qëndrimi i letrës së përbashkët të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe presidentes, është qëndrimi që në emër të qeverisë ministrja e Punëve të Jashtme i dërgon letër Këshillit të Evropës dhe është qëndrimi që e bëri publik dje (për dërgimin në Gjykatën e Venecias). Kryeministri i Kosovës reagon dhe merr vendime dhe veprime më të këqija të mundshme të negocimeve me Serbinë dhe në fund nuk merr ndonjë beneficion për Kosovën”, tha Gashi.
Këto komente ai i bëri pasi mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.