Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ripotencoi qëndrimin se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur dhe se çdo ndryshim në procedurat kuvendare duhet të kalojë përmes mocionit procedural.
“Ndryshimi i çdo procedure kuvendare bëhet me mocion procedural. Mocioni procedural duhet të propozohet në seancë dhe të votohet së pari shmangia e rregullores me dy të tretat e deputetëve dhe pastaj ndryshimi i procedurës. Është e paarsyeshme të ndodhë diçka e tillë. Duhet të vazhdohet sipas vendimit që është marrë dhe mënyrës se si është votuar gjithmonë. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votën e hapur,” tha Gashi.
Ai u shpreh gjithashtu i qetë lidhur me situatën e sigurisë në Kuvend, pas paralajmërimit për një mjet shpërthyes.
“Policia dhe institucionet e sigurisë po e kryejnë punën e vetë. Ne të tjerët duhet t’i kryejmë punët tona,” deklaroi deputeti i LDK-së.
Seanca konstituive, e cila ishte paraparë të mbahej në orën 11:00, u shty për në orën 20:00 për shkak të paralajmërimit për një bombë brenda ndërtesës së Kuvendit. Pas kësaj, Policia e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta lirojnë ndërtesën.