UBT News

Gashi: Kosovës t’i hiqen menjëherë sanksionet

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kërkuar heqjen e menjëhershme të sanksioneve të ndërkombëtareve ndaj Kosovës, derisa kritika ka adresuar për kryeministrin Albin Kurti.

Gashi në një konferencë tha se Kurti është përgjegjës për vendosjen e sanksioneve, ndërsa theksoi se ky i fundit “ka menduar që kjo punë është hajgare”.

“Rezultati final i krizave të prodhuara nga kjo qeveri është Kosova nën sanksione ndërkombëtare, që është e papranueshme. Është gabim fatal i kryeministrit Albin Kurti që Kosovën e ka vendosur nën sanksione ndërkombëtare, pra mendoj që është diçka shumë e rëndë dhe ai duhet të japë përgjegjësi. Kosova nuk e ka luksin të jetë nën sanksione ndërkombëtare dhe nuk duhet. Kosova, është projekt i përbashkët me ndërkombëtarët që nga lindja deri në shtetformimin e saj”, tha Gashi.

Derisa Lista Serbe ka dhënë sinjale se prapë mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në veri të vendit, Gashi tha se e rëndësishme është të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

Duke mos dashur të komentojë për Listën Serbe, ai tha se për këtë duhet të pyetet kryeministri Albin Kurti ose siç tha ai, duke aluduar në Dejona Mihalin, “shefja e tij joformale”.

“Këto janë pyetje që duhet t’i drejtohen kryeministrit dhe shefes së tij, e ka një shefe joformale që ia drejton qeverinë. Për mua, me rëndësi është të respektohen institucionet, të respektohet Kushtetuta e Republikës të Kosovës dhe në këtë proces të jemi në koordinim të plotë me ndërkombëtarët. Kosovës duhet menjëherë t’i hiqen sanksionet. Kosova nuk duhet të jetë nën sanksione, është gabim strategjik, politik. Kryeministri Kurti ka menduar që kjo punë është hajgare. Është vështirë me ardh tek sanksionet, por 10 herë më vështirë me i largu. Tash edhe i ka bërë krejt lëshimet edhe i ka sanksionet”, tha ai.

Ai foli edhe sa i përket emërimit të zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq si zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, për të cilin disa media kanë raportuar se ka qenë pjesëmarrës në luftën e fundit në Kosovë, për çka tha se është gabim i Kurtit dhe se për të njëjtin ai duhet të mbajë përgjegjësi personale.

“Me aq sa kam lexuar në media, zëvendësministri ka qenë pjesë e një organizioni ushtarak që ka marrë pjesë në Masakrën e Prekazit. Mendoj që është e tmerrshme, e papranueshme dhe e patolerueshme dhe shumë e gabuar si sjellje e kryeministrit dhe ai mban përgjegjësi personale për emërimin e këitj zëvendësministri”, tha ai. 

Exit mobile version