Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka deklaruar se problemet kësaj e legjislature janë duke vazhduar, duke shtuar se do të jetë e vështirë që të miratohen ligjet.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai tha se vendi vazhdon të jetë në një situatë të paaftësisë për qeverisje dhe po ashtu të ketë probleme në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtar.
“Po shkojmë drejt fundit të legjislaturës dhe si duket problemet e kësaj legjislature dhe kësaj shumice parlamentare vazhdojnë. Do të jetë e vështirë që të miratohen ligje gjatë kësaj legjislature, por gjithsesi ne si parti opozitare jemi në funksion të interesit të qytetarëve dhe mbrojtjes së interesit së qytetarëve. LDK e ka konfirmuar dhe vazhdon të konfirmojë pjesëmarrjen në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë në interes të vendit, por si duket shumica parlamentare është humbur dhe problemet vazhdojnë. Sa i përket temave tjera të rëndësishme për vendin, vazhdojmë të jemi në një situatë të paaftësisë qeverisje dhe po ashtu vazhdojmë të kemi probleme në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtar. Një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit, por tashmë po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe qytetarëve të Kosovës ju mbetet të vendosin se çfarë lloj qeverisje do të kenë dhe çfarë lloji duan…Sa i përket çështjes së mediave, është qasje e gabuar, dhe e dëmshme për demokracinë dhe fjalën e lirë në Kosovë ”, tha Gashi.
Ndërsa, sa i përket çështjes e cila ka të bëjë me lejen e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve që është në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s, tha se është një çështje delikate dhe problematike. Në këtë drejtim, ka thënë se duhet të mbrohet maksimalisht interesi i Kosovës e po ashtu të ruhet anëtarësimi i saj në organizata ndërkombëtare.
“Sa i përket çështjes tjetër e cila ka të bëjë me lejen e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve që është në kuadër të marrëveshjes CEFTA-s, është një çështje delikate dhe problematike. Kosova ka të drejtën dhe obligimet e veta, por gjithsesi duhet të trajtohet si anëtar i barabartë dhe këto rrethana duket se Qeveria e Kosovë në vazhdën e problemeve në aspektin e komunikimit ndërkombëtar është edhe kjo një ndër problemet që ka. Prandaj, mendojmë se duhet të mbrohet maksimalisht interesi i Kosovës dhe po ashtu të ruhet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, sepse është shumë me rendësi që Kosova të jetë pjesë e organizatave”, tha ai.