Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga opozita, ku po diskutohet për “skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës”. Në seancën që po kryesohet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, nuk po marrin pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kjo seancë është e domosdoshme për situatën, siç e quajti ai, alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme.
Ai ka prezantuar rezolutën shtatë-pikëshe, për çka kërkohet hetim “për skandalet e KEK-ut”.
“Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve një-burimor dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. Dy, Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK-ut që të raportojnë për kontratën e shitblerjes së energjisë elektrike gjatë periudhës 2001-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin financiar në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata dhe të mbrojnë interesin publik dhe të ndjekin dhe të eliminojnë secilën parregullsi. Kuvendi kërkon nga organet kompetente që të hetojnë ndërhyrjen e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen e KEK-ut, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimeve”, u shpreh ai.
Sipas kësaj rezolute, Gashi tha se Kuvendi kërkon nga autoritet kompetente që të hetojnë ndërhyrjen e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen e KEK-ut dhe hetim për Dejona Mihalin.
“Kjo seancë është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të gjerë parlamentar lidhur me situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, të cilat ndërhyrje kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj ndërmarrje jetike për vendin. Kjo seancë ka për qëllim që Kuvendi të adresojë këto shqetësime dhe të zhvillojë një debat të hapur për masat që duhet të merren për të përmirësuar menaxhimin në KEK, për të rritur transparencën dhe për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme. Kuvendi duhet të sigurojë që KEK të operojë sipas standardeve të larta profesionale dhe të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Gashi.
Proceset e tenderimit, siç tha Gashi, kanë treguar keqmenaxhim dhe ndërhyrje të jashtëligjshme. Sipas tij, çështjet specifike që kërkojnë trajtim janë skandalet me tenderët një-burimor dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik. Ai shtoi se çështja e dytë e cila duhet të diskutohet është shitblerja e energjisë elektrike dhe ndikimi financiar në buxhetin e vendit. Gashi tha se raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme të cilat kanë dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës.
“Raportet tregojnë se individët pa asnjë rol formal në KEK kanë ndikuar në dhënien e tenderëve, punësimin dhe tregtinë me energji. Duke shkaktuar favorizime dhe shkatërruar integritetin institucional. Një çështje tjetër që duhet të diskutohet dhe për të cilat Kuvendi i Kosovës duhet të marrë qëndrimin e vet është përfshirja e personit të quajtur Dejona Mihali si koordinatore e LVV-së dhe ndërhyrjet e paligjshme në KEK, përfshirë punësimet e paligjshme. Sipas raportimeve publike, personi i quajtur Dejona Mihali me titullin ‘koordinatore e LVV-së, ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në menaxhimin e KEK-ut duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike si dhe duke shkaktuar një valë të punësimeve të jashtëligjshme të cilat ka edhe kallëzim penal nga LDK”, përfundoi Gashi.