Në Kosovë mungon një institucion i pavarur për vlerësimin dhe monitorim e çështjeve fiskale, kështu është theksuar në tryezën e diskutimit me temën “Nevoja për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”, e organizuar nga Instituti GAP, në të cilën është kërkuar nga institucionet përgjegjëse të merren më shumë me menaxhimin e financave publike.
Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP ka theksuar se nga qeveria ka një mosbashkërendim të dokumenteve vjetore, sikurse ai i buxhetit dhe disa dokumenteve tjera afatmesme strategjike që do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Në Kosovë tek pjesa e financave publike në vijimësi vërehet se mungon një vlerësim i pavarur institucional dhe disa nismave qe prekin ndjeshëm pjesët fiskale të shpenzimeve të buxhetit dhe menaxhimin me paranë publike. Pra, është vërejtur se nga qeveria kemi një mos bashkërendim të dokumenteve vjetore, sikurse ai i buxhetit dhe disa dokumente tjera afatmesme strategjike që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik në vend, mirëpo gjithmonë ka munguar pastaj një reagim institucional qe e ve në pah këtë gjë. Ose kemi pas ndër vite disa tentime nga qeveritë dhe ministritë e ndryshme të cilat kanë përbë ndër vete vendime ad-hoc që kanë tronditur pjesën e financave publike, sikurse në vitin 2010 që ishte një rritje ad-hoc e pagave, dhe ka interpretime që është dashtë të merren me pjesën e menaxhimit me disa finance publike“, tha Hasaj.
Ndërsa, koordinatorja e Hulumtimeve në Institutin GAP, Rrona Zhuri e cila ka bërë prezantimin e raportit dhe ka renditur sfidat që po përballet vendi në këtë drejtim, ka thënë se është vërejtur se në raste të fushatave zgjedhore janë propozuar ndryshime legjislative ad-hoc vetëm për qëllime politike.
“Një ndër sfidat kryesore është mos-përputhja e planeve strategjike me buxhetin afatmesëm. Gjithashtu është edhe mos-përputhshmëria të dokumenteve afatmesme buxhetore me buxhetin vjetor. Një sfidë tjetër që është vërejtur ndër vite është vlerësimi buxhetor i politikave të reja ose legjislacionit. Kemi vërejtur që në raste të fushatave zgjedhore janë propozuar ndryshime legjislative ad-hoc vetëm për qëllime politike. Lidhur me këto sfida në Kosovë nuk ka pasur një institucion të pavarur që monitorues i cili ka bërë mbikëqyrjen e qeverisë…Duke, marrë parasysh gjitha këto është vërejtur nevoja për themelimin e një institucioni të pavarur fiskal. Mandati i këtij institucioni duhet të jetë i fokusuar në vlerësime të pavarura të parashikimeve fiskale dhe makro ekonomike, vlerësime të respektimit të rregullave fiskale dhe vlerësime buxhetore dhe kostim të politikave“, tha ajo.
Ndërsa Zhuri pas prezantimit ka ofruar disa opsione që mund të përshtaten në rastin e Kosovës në krijimin e këtij institucioni.
“Në aspekt të modelit institucional, janë disa opsione që mund të përshtaten në rastin e Kosovës. I pari është institucioni fiskal i pavarur si institucion i ndarë, i dyti është zyre parlamentare në kuadër të Kuvendit, dhe i treti është institucion fiskal në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ne kemi ofruar edhe disa Rekomandimet për Kosovën rekomandimi i parë është që të themelohet një institucion i pavarur fiskal sipas kërkesave minimale të caktuara nga direktivat e Komisionit Evropian, si dhe parimeve kyçe të caktuara nga OECD. Të sigurohet që institucioni fiskal i themeluar, qoftë në formë të ndarë nga institucionet tjera, ose si pjesë e ZKA ose Kuvendit, të ketë pavarësi të plotë“, tha ajo.
Në anën tjetër, ekonomistja e lartë për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Sanja Madzarevic-Sunster ka thënë se është nevojë urgjente krijimi dhe menaxhimi i krizave fiskale pas konflikteve që po ndodhin në botë.
“Jetojmë në Evropë që është e ekspozuar për fat të keq ndaj konfliktit ushtarak, zinxhirit furnizues që po shkurtohen, rikontrukturohet, dhe kjo pasiguri sjell ndikim tek cikli ekonomik…Një lloj rilindje të këshillave fiskale kanë ndodhur pas krizave fiskale globale, dhe nevoja urgjente për krijimin e këtyre është më urgjente se ajo 2008…Pra, të kemi një mbulueshmëri financiare të qëndrueshme“, tha ajo.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se të pakta janë ato institucione të pavarura edhe në praktikë sa i përkët monitorimit të financave publike. Ndërsa, ka shtuar se themelimi i një institucioni të tillë do e bënte punën shumë më të lehtë.
“A kemi ne institucione të pavarura realisht dhe në praktikë, dhe prej kësaj duhet të fillojë diskutimi se a duhet të krijojmë tjera institucione të pavarura, sepse këtu qëndron gjithë problemi. Ekzistenca e një institucioni tillë do e bënte punën shumë më të lehtë, në qoftë se t kisha pasur analizat e sakta, të dhëna të sakta, nuk ish dashtë të shpenzoj orë e ditë të tëra që me analizua tabela, shifra dhe të vijë tek disa analiza çfarë i kemi…Atë që thash a kemi institucion të pavarur, kam frikë se praktika në këto 25 vite na ka treguar qe ne kemi krijuar zyre, kemi adaptuar edhe ligje, shpeshherë duke mos marrë kontekstin aktual dhe duke dashur të dalim më mirë me një raport, të zbatojmë një rekomandim, mirëpo kur kemi analizuar kontributin e saj në praktikë, diskrepanca ka qenë shumë e madhe“, tha ajo.
Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë, Vlora Spanca ka thënë se ZKA prin për nga pavarësia në nivel rajonal, dhe për besueshmëri që qytetarët kanë në raport me këtë institucion.
“Keni nxjerrë në pah që fjala kyçe e një institucioni është pavarësia. Edhe në ZKA do të thotë fjala kyçe është pavarësia, parimi i pavarësisë… Në këtë aspekt janë bërë vlerësime edhe në nivel rajonal edhe në nivel kombëtar, ku ZKA-në e kanë vlerësuar si institucionin suprem i auditimit me pavarësinë më të lartë në nivel rajonal. Ne prijmë për nga pavarësia në nivel rajonal, ne prijmë nga besueshmëria që qytetarët kanë në raport me ZKA edhe prijmë në atë aspektin se sa e mbajmë qeverinë llogaridhënës për mënyrën e ekzekutimit dhe përdorimit të buxhetit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Abdylmenaf Bexheti, anëtar i Këshillit Fiskal të Maqedonisë së Veriut ka thënë se Kosova ka avantazh të madh ta bëjë sa më shpejtë një institucion të pavarur.