Në tremujorin e parë të vitit 2024 planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeç të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Ndërkaq sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj ai i tregtisë dhe prodhimit. Ndërsa në dhjetë vjetët e fundit nga vendi kanë emigruar 338 mijë qytetarë.
Kështu u bë e ditur në konferencën pë media të organizuar nga Instituti GAP me temën “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, ku u tha se arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.
Përmes një ankete të realizuar me mbi 1 mijë qytetarë nga Kosova, Instituti GAP kishte për qëllim që të vinte në pah se cilat janë arsyet kryesore që nxisin ata për të emigruar, cilët sektorë do të preken më shumë dhe çështje të tjera.
Hulumtuesja e lartë në Institutin GAP, Anisa Zogaj tha se rreth 28 për qind e qytetarëve konsideruan se mundësitë më të mira për punësim janë arsyeja kryesore për të emigruar. Ajo theksoi se sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj tregtisë 18.1 për qind dhe prodhimit 12.9 për qind.
Zogaj potencoi se shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, derisa shtoi se destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind.
“28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç kanë plane për të emigruar në periudhën e parë të këtij viti…Sektorët të cilët preken në masë më të madhe nga largimi i punëtorëve në këtë periudhë janë sektori i ndërtimtarisë me 18.7 për qind, hotelerisë dhe gastronomisë po ashtu me 18.7 për qind, tregtisë me 18.1 për qind dhe prodhimit me 12.9 për qind. Të njëjtit janë po ashtu sektorë të cilët kanë numrin më të lartë të punëtorëve në Kosovë dhe kanë produktivitetin më të lartë, por që pagat i kanë në pagën mesatare të Kosovës. Disa sektorë të tjerë të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia nuk priten të preken në të njëjtën masë sikurse sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe gastronomisë…Arsyet ekonomike janë arsyet kryesore të cilat i shtyjnë qytetarët të emigrojnë. Gjithsej 28 për qind e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore për të emigruar…Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm me 58 për qind, ndërsa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, ndjekur nga Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind”, tha Zogaj.
Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Blendi Hasaj tha se në periudhën 2012/2022 rreth 338 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Ai shtoi se liberalizimi i vizave sjell probleme në ekonomi, duke përfshirë mungesën e punonjësve në treg.
Hasaj theksoi se nëse nga Kosova emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, pritet që të ulet produktivitetin në tërë vendin. Ai shtoi se kjo ndo të ndikojë edhe në uljen e konsumit, duke përfshirë në rënien e pagave.
“Kemi trajtuar disa çështje që lidhen me migrimin e qytetarëve të Kosovës me rastin e liberalizimit të vizave, ku fokusi jonë ka qenë veçmas me ato dinamikat që do të ndodhin ose që pritet të ndodhin në tregun e punës…Viteve të fundit Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një shkallë të lartë të emigrimit të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në periudhën 2012-2022 nga Kosova kanë emigruar gjithsej 338 mijë qytetarë, apo që është ekuivalente 18.8 për qind e popullsisë së Kosovës. Emigrimi i një shkalle të lartë të qytetarëve nga Kosova, sjell probleme të ndryshme në ekonomi. Në periudhën afatshkurtër kjo krijon mungesë të punonjësve në treg dhe varësisht nga sektorët që afektohen më shumë….Pastaj në periudhën afatgjate kjo del të jetë pak më problematike, nëse nga vendi emigrojnë shumë kuadro të cilat janë të shkolluara, emigrojnë të cilat janë produktive dhe ndërmarrës ose ndërmarrëse, krijojnë inovacion në ekonomi. Kjo pritet që ta ul produktivitetin në tërë vendin, gjithashtu do ta ul edhe konsumin dhe rrjedhimisht do të ndikojë në rënie të pagave në vend”, tha Hasaj.
Ndër të tjera, Hasaj potencoi se sipas raportit të Institutit GAP, del se në vendet fqinje të cilat kanë fituar liberalizimin e vizave në periudhën 2009-2010 në vitin e parë, efekti i migrimit të popullsisë nuk ka qenë më i lartë se 2.9 për qind. Përveç këtyre, në këtë konferencë u tha se një ndikim pozitiv që mund ta sjellë emigrimi në Kosovë është rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqi punëtore. Po ashtu u potencua se sipas përgjigjeve të të anketuarve del se disa nga arsyet kryesore që do të motivohen qytetarët për të mos emigruar, por për të qëndruar në Kosovë janë pagat më të mira, përmirësimi i kushteve të punës dhe gjendjes në shëndetësi dhe arsim.