UBT News

Galaxy AI “mëson” dy gjuhë të reja, tani flet me 5.9 miliardë njerëz

Që nga prezantimi i tij në fillim të vitit 2024, Galaxy AI i Samsung ka vijuar të zgjerojë mbështetjen për gjuhë të reja në mënyrë të qëndrueshme. Platforma mbështeste 16 gjuhë në prill të 2024-s, ndërsa deri në dhjetor arriti në 20 gjuhë.

Samsung ka njoftuar shtimin e dy gjuhëve tjera: filipinishten dhe guxharatishten, që mund të shkarkohen si paketa gjuhësore përmes aplikacionit Cilësimet.

Filipinishtja flitet nga rreth 87 milionë persona, ndërsa guxharatishtja nga rreth 62.5 milionë. Të dyja u zhvilluan në bashkëpunim me qendrat kërkimore të Samsung në Indonezi dhe Indi.

Me këto shtesa, Galaxy AI mbështet gjithsej 22 gjuhë, që përfaqësojnë rreth 74% të popullsisë botërore, ose afërsisht 5.9 miliardë njerëz.

Sipas Samsung, më shumë se 70% e përdoruesve të Galaxy S25 përdorin rregullisht Galaxy AI dhe Google Gemini, ndërsa 47% e tyre deklarojnë se mbështeten “shumë” në inteligjencën artificiale në jetën e përditshme.

Kompania synon që deri në fund të këtij viti, Galaxy AI të jetë i disponueshëm në mbi 400 milionë pajisje, pasi tashmë ka arritur shifrën prej 200 milionë pajisjesh gjatë vitit 2024. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version