UBT News

G20: Fokusi në ndryshimet klimatike dhe përdorimin e qëndrueshëm të ujit

Një takim dyditor i ministrave të mjedisit të vendeve anëtare të G20-tës në Napoli të Italisë, i cili fillon të enjten, do të përqendrohet në ndryshimin e klimës dhe përdorimin e qëndrueshëm të ujit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga G20, temat kryesore të diskutimit do të jenë: “Luftimi i ndryshimit të klimës, përshpejtimi i tranzicionit ekologjik, bërja e rrjedhave financiare në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit (2015), mundësitë për rimëkëmbje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të mundësuara nga zgjidhje inovative teknologjike të sektorit të energjisë dhe ndërtimi i qyteteve inteligjente, elastike dhe të qëndrueshme”

Murat Kurum, ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit i Turqisë, gjithashtu do të marrë pjesë në takim dhe do të flasë me homologët e tij globalë për punët e Turqisë në lidhje me mjedisin, klimën dhe energjinë.

Samiti i liderëve të G20-tës është caktuar për më 30-31 tetor në Romë.

G20, i përbërë nga 19 vendet me ekonomitë më të mëdha në botë plus Bashkimi Evropian, përfshin Turqinë, Gjermaninë, SHBA-në, Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kinën, Indonezinë, Francën, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut, Indinë, Britaninë, Italinë, Japoninë, Kanadanë, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite dhe BE-në, si dhe FMN-në dhe Bankën Botërore.

“G20 është forum ndërkombëtar që bashkon ekonomitë më të mëdha të botës. Anëtarët e saj përbëjnë më shumë se 80 për qind të PBB-së botërore, 75 për qind të tregtisë globale dhe 60 për qind të popullsisë së planetit”, sipas faqes së internetit të forumit.

Exit mobile version