UBT News

Fytyrat e protestës kundër ngacmimeve seksuale

Një video e shkurtër, e shpërndarë nga mediat kosovare më 15 maj, e cila thuhet se shfaq një sulm seksual ndaj një vajze të mitur nga tre fëmijë në oborrin e një shkolle në kryeqytet, e tmerroi Kosovën.

Ngjarja, e cila raportohet të ketë ndodhur në fundin e prillit, në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Faik Konica”, në Prishtinë, nxiti një furtunë reagimesh, nga udhëheqësit shtetërorë e deri te qytetarët e rëndomtë.

"Traumë, jo lojë" ishte motoja e protestës në Prishtinë
“Traumë, jo lojë” ishte motoja e protestës në Prishtinë

Më i madhi nga reagimet, megjithatë, erdhi në formën e një marshi protestues, me moton “Traumë, jo lojë”, në kryeqendrën e Kosovës.

Nxënës nga tri gjimnaze të Prishtinës – “Xhevdet Doda”, “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi” – pushtuan sheshet e qytetit, të mërkurën e 19 majit, për të protestuar kundër ngacmimeve seksuale.

Pas raportimit për rastin, në mediat kosovare, drejtoria e shkollës “Faik Konica” ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat, si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Ndërkaq, Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve i ka bërë thirrje Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbime për mbrojtjen dhe rehabilitimin për fëmijën, si dhe ka kërkuar të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.

Mimoza Shahini, psikiatre për fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë rasti i fundit ka qenë vetëm një zile për të treguar një fenomen, i cili është jo i rrallë në mjediset e shkollave.

Madje, sipas saj, më shqetësuese është fakti se ka disa raste të abuzimit seksual të të njëjtës gjini.

Vetëm gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës, për veprën penale “Ngacmimi seksual” janë raportuar gjithsej 21 raste, pa dallim moshe.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.




Exit mobile version