UBT News

Fushata informuese për liberalizimin e vizave, Kurti takoi komunitetin turk në Prizren

Në kuadër të fushatës së informimit për liberalizimin e vizave, kryeministri Albin Kurti takoi sot komunitetin turk në Prizren, me të cilët bashkëbisedoi dhe ndau informacione për ushtrimin e të drejtës së lirisë së lëvizjes në zonën Shengen nga e cila na ndajnë vetëm 10 ditë.

Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi na dhuron mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.

Kundrejt kësaj çështjeje, Qeveria e Kosovës ka bërë një fushatë informimi në gjithë vendin, ku përgjatë tetorit dhe nëntorit kamioneta me informata ka vizituar mbi 30 komuna të Kosovës, me materiale të shtypura në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome.

Në kuadër të saj është gërshetuar edhe kuizi i BE-së për qytetarët, i cili ka mundësuar që një grup të fitojë udhëtimin e parë pa viza më 1 janar në Vjenë të Austrisë.

Fushata e informimit, përveçse në terren, është realizuar edhe në aeroport e pika kufitare, TV/radio e rrjete sociale. Pyetjet e qytetarëve janë drejtuar në numrin e telefonit pa pagesë në 0800 77 001, të lansuar enkas për shpjegimin e rregullave që duhet respektuar nga 1 janari 2024 kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave.

Kriteret për lëvizje të lirë janë pasaporta biometrike, udhëtimi vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, si dhe dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese.

“Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo është arritje e përbashkët, pasi progresi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, tha Kurti.

Fushata e informimit për liberalizim të vizave iniciuar nga Qeveria, ka filluar më 5 tetor në Prishtinë, dhe ka vazhduar në mbi 30 komuna, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.

Exit mobile version