Ministria e Arsimit ende nuk ka vendim zyrtar për mënyrën e furnizimit të nxënëseve me tekste shkollore për vitin e ri shkollor 2024/25. Ndërkaq, njohës të arsimit po vlerësojnë së subvencionimi i prindërve, siç u bë vitin e kaluar, nuk është treguar i suksesshëm dhe është e rëndësishme që furnizimin i nxënëseve me tekste shkollore të bëhet me kohë.
Edhe për kundër që kanë mbetur me pak se një muaj e gjysmë fillimi i vitit të ri shkollor, prindërit dhe drejtues të shkollave ende nuk kanë informacione se si do të bëhet furnizimi i nxënësve me tekste shkollore. Në lidhje më këtë çështje, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kanë bërë të ditur se ende nuk ka vendim në lidhje me këtë çështje.
E, njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se përvoja nga viti i kaluar për subvencionimin e prindërve, nuk u tregua efikase. Xhavit Rexhaj, tha se furnizimi i nxënëseve me tekste shkollore duhet të bëhet nga shtëpitë botuese. Ndërkaq, për sa i përket subvencionimit për mjete shkollore ai tha së është mire të vazhdohet vetëm për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.
“Mendoj që është mirë të shfrytëzohet rrjeti që e kanë shtëpitë botuese dhe të vazhdohet më shpërndarjen e teksteve nga ana e shtëpive botuese. Ato e kanë rrjetin, e kanë kapacitetin dhe ato kapacitete janë ndërtuar me dhjetëra vite. Nuk është mirë tash kapacitetet e shtëpive botuese të rrinë të pashfrytëzuara dhe të kalojmë në një mënyrë të shpërndarjes se teksteve që vitin e kaluar nuk doli efikase”, tha Rexha.
Rinor Qehaja nga instituti “EdGruard”, tha se cilin do variant që zgjedh MASHT-i, është i rëndësishëm që furnizimin të bëhet me kohë dhe se ministria nuk duhet të përsërisë gabimet e viteve të kaluara.
“Pa marrë parasysh modalitetit të shpërndarjes, tekstet shkollore duhet të jenë të qasshme për nxënësit para të hënës, me 2 shtator. Ka vite në të cilat ministria do duhej të merrte mësime të mira, do duhej të mësonte nga ato gabime e të mos përsëriten nga viti në vit dhe në dëm të drejtpërdrejtë te nxënësit”, tha Qehaja.
Kundër vendimit për subvencionimin e prindërve për tekstet shkollore vazhdon të jetë edhe Sindikata e Arsimit. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se nxënësit kanë pasur mungesë të teksteve shkollore gjatë dy muajve të parë të vitit të kaluar shkollor.
“Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore vitin e kaluar ka qenë një përvojë e keqe e të cilën e ka kundërshtuar arsyeshëm Sindikata e Arsimit, prindërit dhe të tjerët. Mungesa e teksteve është vërejtur gjatë gjithë shtatorit dhe muajit tetor”, deklaroi Jasharaj.
Shuma e shpenzuar e buxhetit për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore gjatë vitit shkollor 22/23 ishte mbi 11 milionë euro./RadioKosova/