Politologu i njohur amerikan Frensis Fukujama ka shpjeguar edhe njëherë idenë e tij të fundit të historisë. Ai u bë i famshëm përmes saj sepse në fillim të viteve ’90, me shembjen e Bashkimit Sovjetik ai predikoi një botë ku historia kishte prekur fundin, pra ku demokracia liberale sips shembullit amerikan pati fituar dhe ku model tashmë do të përhapej pashmangshmërisht në të gjithë rruzullin. Në fakt trani tre dekada më pas nuk ndodhi fare kështu dhe në shumë pjesë të botës demokracia liberale ka bërë hapa pas. Madje ajo u trondit ndjeshëm edhe atje ku Frensis Fukujama nuk do ta kishte imagjinuar kurrë, në SHBA. Pikërishtë për këtë çështje ai i ka dhënë një intervistë historianit të njohur britanik, Tom Holand, i cili e pyeti Fukujamën, mbi tezën e tij të shumë-diskutuar të “fundit të historisë” dhe arsyet e shfaqes së Donald Trump.
Tom Holand: Titulli i librit tuaj të fundit është “Pas fundit të historisë”. Ju e mendoni më shumë historinë si një lloj procesi sesa si një fund…
Frensis Fukujama: Së pari, kjo nuk është fraza ime, por vjen nga Hegeli. Edhe Karl Marksi kishte një koncept mbi ‘fundin e historisë’. Dhe për të historia nuk nënkupton në fakt ngjarje, por dukuri si modernizimi apo zhvillimi.
Fundi i historisë, siç na u shtjellua nga Hegeli dhe Marksi, e pranoi faktin se ne po jetonim në një botë historike progresive në të cilën gjërat ndryshojnë me kalimin e kohës, ndaj pyetja është: Ku po na çon ky proces? Përgjigjja e Marksit ishte drejt një utopie komuniste. Hegel e kuptoi më mirë dhe e argumentoi siç duhet, se kjo do të çonte në një lloj shoqërie liberale.
Në libër ju thoni ndër të tjera “Kanë ndodhur më shumë gjëra vitet e fundit që nuk ishin parashikuar, të paktën nga unë dhe shumica e njerëzve që njoh, sesa në 20 vitet e mëparshme”. A e kishit fjalën edhe për zgjedhjen e Trumpit president?
Po, madje dhe mbi atë që shpërfaqi zgjedhja e Trump mbi gjendjen e demokracisë amerikane. Unë dhe shumë politologë të tjerë kemi këtë besim se demokracia është si një destinacion, dhe kur arrin një demokraci të konsoliduar, procesi ka përfunduar. Ne kemi parë hapa pas në demokracitë e reja si India apo Hungaria. Por që kjo do të ndodhte edhe në SHBA, as që mund ta kisha parashikuar 30 vjet më parë.
Ju thoni që Trump doli të ishte edhe më keq sesa e kishit parashikuar?
Mëkati i tij më i rëndë ishte kontestimi i legjitimitetit të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ne menduam se ai në fund do t’i dorëzohej realitetit. Por kanë kaluar 7-8 muaj, dhe ai vazhdon të jetë i fortë.
I gjithë virtyti i një demokracie liberale, është se ajo të ofron një mjet për transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore. SHBA-ja ka kritikuar shumë demokraci me të meta nëpër botë për mos-transferimin e pushtetit. Tani autoriteti ynë moral për ta bërë këtë gjë është dëmtuar seriozisht.
Në libër ekziston një aluzion se ndoshta ky ka qenë një test stresi për demokracinë amerikane, dhe që tani ka kaluar….
Në tërësi mendoj se ka disa arsye për të qenë optimistë. Trump nuk u rizgjodh për një mandat tjetër, dhe qeveria po vazhdon të funksionojë. Sigurisht në politikën e jashtme Shtetet e Bashkuara janë kthyer në një lloj status quo ante. Por mendoj se të dhënat e një sondazhi që tregojnë se mbi një e treta e amerikanëve nuk besojnë se zgjedhjet e fundit ishin legjitime, nuk janë një shenjë e një demokracie të shëndetshme.
Sa e sfidon optimizmin tuaj ngritja e Kinës dhe lloji i autokracisë teknokratike që mishëron ajo?
Në rast se Kina do të arrijë të mbetet e qëndrueshme, nëse vazhdon të rritet dhe të tejkalojë demokracitë liberale perëndimore, atëherë unë mendoj se kjo do ta dëmtonte seriozisht të gjithë hipotezën. Nuk mendoj se jemi ende në atë pikë.
Diku në libër ju thoni se Bashkimi Evropian i përafrohet më mirë konceptit tuaj mbi “fundin e historisë”…
Është e vërtetë, vetëm nuk ka funksionuar shumë mirë.
A mendoni se trashëgimia e liberalizmit, mund të formojë një “tendë të madhe” që mund të mirëpresë njerëz nga tradita shumë të ndryshme kulturore?
Sigurisht që shpresoj të jetë kështu. Nëse jo, mendoj se do të kemi shumë probleme, duke pasur parasysh globalizimin. Shumica e shoqërive do të jenë shumë të ndryshme nga ana kulturore, fetare, etnike e kështu me radhë, ndaj duhet të kemi një formulë që të garantohet funksionimi i tyre.
Unë mendoj se njerëzit e kanë humbur besimin tek liberalizmi, dhe ne nuk kemi udhëheqësit e duhur që të jenë në lartësinë e sfidave të sotme. Ka shumë arsye për të qenë krenar për jetesën në një shoqëri të tillë, por mendoj se vitet e fundit njerëzit nuk e kanë mbrojtur si duhet atë./ Pergatiti Bota.al