UBT News

Ftohen profesionistët të konkurrojnë për Bord të rregullt të KEK-ut

Në muajt në vijim do të hapet konkursi për Bordin e rregullt të Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK). Kështu u bë e ditur gjatë vizitës që sot zhvilloi në këtë ndërmarrje publike kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Me këtë rast Kurti, KEK-un e ka quajtur ndërmarrje fitimprurëse dhe ofroi mbështetje për zhvillimin tutje të kësaj korporate.

Kurti së bashku me ministren Rizvanolli fillimisht vizituan Termocentralin “Kosova A”, duke vazhduar më pas në Divizionin e Prodhimit të Thëngjillit si dhe “Kosovën B”. Ai tha se si Qeveri kanë vënë theksin në dy aspekte kryesore, e para Bordi me integritet dhe mbikëqyrje të mirë nga ekzekutivi.

Qëllim tjetër sipas kreut të ekzekutivit mbetet edhe prodhimi i energjisë së ripërtërishme në vitet në vijim.

“Ne e vëmë theksin në dy aspekte kryesore si Qeveri e Kosovës, e para është Bordi me integritet ne kemi edhe Bord të ri edhe ministre të re, pra bordi me integritet i KEK-ut në njërën anë dhe mbikëqyrja e mirë nga ana e ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi në anën tjetër. Gjithashtu pamë se pajisjet janë të vjetërsuara pamë se punëtorët janë të moshuar, pamë edhe mungesë të kuadrove të inxhinierëve mirëpo të gjitha këto do t’i adresojmë bashkërisht me KEK-un në mënyrë që këto defiçiencat të mbulohen në të ardhmen të kësaj kompanie. Jemi të përqendruar edhe në faktin se KEK-u duhet të jetë proaktiv dhe inovativ në vitet që vijnë në mënyrë që ta bëjmë diversifikimin e prodhimit të energjisë duke inkuadruar energji të ripërtërishme ku KEK-un e shohim si shtyllë shumë të rëndësishme”, tha ai.

Derisa ka ofruar përkrahjen maksimale, shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se ashtu si vitin e kaluar edhe në këtë gjashtëmujor të parë të vitit 2021 plani i eksploatimit të thëngjillit ka tejkaluar planin e paraparë.

“Në vitin e kaluar kemi pasur një performancë shumë të mirë me ç’rast janë prodhuar 6 mijë GIGA VAT orë apo 6 teravat orë energji elektrike ndërkaq nga vizitat tek mihjet mësuam se në 6 mujorin e parë të këtij viti është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit me ç’rast janë nxjerr 4 milionë e 300 mijë tonë. Pra ky tejkalim është në dritën e 8 milionë tonëve të eksploatuar që janë në planifikim për vitin 2021. Fjalët që qarkullojnë se në KEK janë rrogat e larta nuk qëndrojnë duke pasur parasysh kontributin shoqëror, duke marr parasysh kushtet jo të lehta të punës dhe rrezikun jo të vogël në punë. Pra ne do të angazhohemi maksimalisht edhe për KEK-un si organizatë e punëtorëve dhe kuadrove edhe për KEK-un si kapacitet prodhues dhe zhvillues por edhe për pasuritë natyrore dhe shtetërore përkatësisht për mihjet”, theksoi Kurti.

Nga Termocentrali “Kosova B”, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli paralajmëroi hapjen e konkursit për bordin e rregullt të KEK-ut për çka bëri thirrje që të aplikojnë profesionistët duke garantuar rekrutim transparent.

Thirrje për aplikim bëri edhe për konkursin e kryeshefit të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, i cili do të jetë i hapur deri më 23 gusht 2021.

“KEK-ut i duhet udhëheqje profesionale me integritet dhe një udhëheqje që e ka vizionin për ta udhëhequr KEK-un në këto reforma dhe aftësinë për ta planifikuar dhe zbatuar këto reforma. Prandaj, shfrytëzojmë këtë rast gjatë muajve në vijim do të hapet konkursi për Bordin e rregullt të KEK-ut në të cilin ftojmë të gjithë profesionistët e fushës që të aplikojnë. Ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë proces të rekrutimit që është me integritet dhe fer dhe me transparencë të plotë siç ka ndodhur edhe në konkurset e kaluara. Ftoj profesionistët që të aplikojnë për konkursin për kryeshef ekzekutiv të KEK-ut i cili është i hapur edhe gjashtë ditë deri më datën 23 dhe të njëjtin proces fer dhe me transparencë të rekrutimit që ne si qeveri zotohemi për borde, presim edhe nga bordi që ta realizojë”, theksoi ajo.

Exit mobile version