Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) i është adresuar të mërkurën partive politike.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pyet partitë politike se sa është paraparë rritja e buxhetit në shëndetësi, si do të jetë plani për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe si do të përmirësohet mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë.
“Në vazhdën e komunikimit publik dhe të sinqertë të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me opinionin e mbarë Kosovar, Ju njoftojmë se dje me datë 03.02.2021 ju kemi adresuar partive politike si në vijim: Lëvizjes Vetëvendosje-LVV, Lidhjes Demokratike e Kosovës-LDK, Partisë Demokratike e Kosovës-PDK, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-AAK dhe Nismës Socialdemokrate- NISMA. Këto janë kërkesat e punëtorëve shëndetësor për partitë politike në kohë kur ata po e shpalosin programin e tyre: 1. Sa është e paraparë rritja e buxhetit në shëndetësi? 2. Si do të jetë plani juaj për menaxhimin e Pandemisë COVID-19? 3.Si do të përmirësohet mirëqenia e punëtorëve shëndetësor(pagat) forma dhe mënyra e saj? Në fund Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe anëtarësia e saj e gjërë me vëmendje do të përcjellin premtimet por njëkohësisht do të mbajnë në mend të gjitha ato të cilat nuk janë realizuar”, thuhet në komunikatën e sindikatës.