Federata Sindikale e Sektorit Privat të Kosovës ka shfaqur pakënaqësitë e saj në lidhje me siç u tha ‘zhvatjen e tenderëve dhe mos dhënien e pagave të premtuara nga qeveria për punëtorët e sektorit publiko-privat’.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi theksoi se problemet vijnë si pasojë e zvarritjes së tenderëve dhe mos dhënien e pagave të premtuara për punëtorët teknikë të fushës së shëndetësisë dhe atij arsimor në komunën e Prishtinës.
“Ne kemi pas zvarritje të tenderëve. E kemi problemin në QKUK, paga në marrëveshje është 405 euro ndërsa tani marrin 270 euro. Te komuna e Prishtinës kemi të njëjtat probleme, kemi arritur marrëveshje për punëtorët teknikë të shkollave, të Qendrave të Mjekësisë Familjare për shkak të procedurave burokratike të cilat dëshirojmë të ndryshohen”, theksoi Azemi.
Për sindikatën sipas kryetarit Azemi, shqetësim të madh kanë edhe për punëtorët e Universitetit të Prishtinës dhe ata të QKUK-së, dhe ka paralajmëruar grevë nëse nuk arrihet zgjidhja për dhënien e pagave të premtuara nga Qeveria edhe komuna e Prishtinës.