20 të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata u betuan sot dhe katër vjet më vonë pritet të certifikohen oficerë të FSK-së. Nga kadetët e rinj, eprorët kërkuan përkushtim dhe punojnë për atdheun në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në ceremoninë e betimit tha se me kadetët e rinj do të jetë krenar i gjithë populli.
“Këtu u përzgjodhën më të mirët prej më të mirëve. Me këta do të jemi krenar krejt populli dhe kombi. Të nderuar kadet ju do të përgatiteni me karrierë profesionale në shërbim të atdheut… ju duhet të fitoni zhvillimet e duhura ushtarake, morale fizike e etike. Nga ju pres të jenë kadet të disiplinuar dhe të dilni të vyeshëm për kombin dhe atdheun, të ngitni flamurin tonë lartë dhe të punoni natë e ditë për të ardhmen e vendit tonë tq çmuar”, tha ministri Mehaj.
Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Enver Cikaqi tha se Qendra për Studime Universitare tashmë ka krijuar historinë e saj me edukimin e oficerëve.
“Në jetën tuaj ju jeni duke bërë veprimin më fisnik duke u përgatitur për mbrojtën e qytetarëve dhe duke kontribuar për një botë më të mirë dhe më të sigurtë. Nga ju kërkoj përkushtim maksimal, dije, të jepni më të mirën nga vetja. Nga ju pres të shfaqni iniciativë, lidership dhe standard të lartë të përgatitjes fizike”, tha gjeneral Cikaqi.
Ndërsa komandanti i QSU-së, major Ali Haxhimustafa tha se kadetët që u betuan sot, katër vjet më vonë do të jenë oficerë kompetent me të cilët do të mburret Forca.
“Me punën tonë angazhimin e tyre këta kadetë pas katër vitesh do të jenë oficer kompetent me të cilët do të mburremi të gjithë. Pritet shume nga ju gjatë shkollimit katër vjeçar, kur të diplomoni pritet ta mbroni vendin e Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.